Ndotja e ajrit mbetet shqetësimi mjedisor më i përhapur në Kosovë, ndërsa shqetësimi për trafikun është zvogëluar krahasuar me një vit më parë. Këto janë disa nga të dhënat e anketës Balkan Barometer 2025, të publikuara nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), e cila mat perceptimet e qytetarëve për problemet në komunitetet e tyre.
62% e të anketuarve në Kosovë e përmendën ndotjen e ajrit si një nga shqetësimet kryesore në komunitetin ku jetojnë. Ndotja e ujit u përmend nga 50%, ndërsa ndotja e tokës nga 37% e të anketuarve.
Krahasuar me vitin 2024, shqetësimi për ndotjen e ajrit ka rënë nga 67% në 62%, ndërsa ai për ndotjen e tokës nga 49% në 37%. Për ndotjen e ujit, ndryshimi ka qenë më i vogël, nga 49% në 50%.
Një rënie është regjistruar edhe te perceptimi i trafikut të rënduar si problem në komunitet, nga 52% në vitin 2024 në 37% në vitin 2025. Megjithatë, kjo e vendos trafikun ende ndër shqetësimet e rëndësishme mjedisore të raportuara nga qytetarët, përcjell Energy Monitor.
Në nivel të Ballkanit Perëndimor, ndotja e ajrit përmendet nga 61% e të anketuarve, ndotja e ujit nga 52%, ndërsa ndotja e tokës nga 44%. Trafiku i rënduar përmendet nga 33%, që do të thotë se për këtë tregues Kosova është katër pikë përqindjeje mbi mesataren rajonale.
Rezultatet pasqyrojnë perceptimin e qytetarëve për problemet në komunitetet e tyre dhe nuk përbëjnë matje të drejtpërdrejta të nivelit të ndotjes apo të intensitetit të trafikut. Megjithatë, ato tregojnë se ndotja e ajrit mbetet një shqetësim i përhapur në Kosovë, edhe pse përqindja e qytetarëve që e përmendin ka shënuar rënie nga viti paraprak.



