Home / Lajme / Mjedisi / Kosova nis diskutimin për vizionin hapësinor deri më 2050, Pacolli kërkon zbatim të planeve

Kosova nis diskutimin për vizionin hapësinor deri më 2050, Pacolli kërkon zbatim të planeve

Kosova ka mbajtur të enjten, më 15 tetor, Simpoziumin Ndërkombëtar “Vizioni Hapësinor i Kosovës 2050”, ku përfaqësues të institucioneve, ekspertë vendorë e ndërkombëtarë dhe përfaqësues të akademisë diskutuan planifikimin e territorit, zhvillimin urban dhe rural dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, tha se pas luftës, shumë plane hapësinore nuk u zbatuan në praktikë, duke kontribuar në zgjerimin e pakontrolluar të qyteteve, zvogëlimin e hapësirave të gjelbra, humbjen e tokave bujqësore dhe ndërhyrjet në shtretërit e lumenjve.

Sipas saj, ndryshimet demografike, migrimi dhe presioni mbi qytetet kërkojnë planifikim afatgjatë dhe zbatim më të qëndrueshëm të planeve. Vizioni për vitin 2050 synon të krijojë një bazë për zhvillim më të organizuar, infrastrukturë funksionale dhe hapësira më të mira për jetesë.

Në simpozium u diskutuan gjithashtu nevoja për mbrojtjen e natyrës, zgjerimin e hapësirave të gjelbra dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ngjarja u organizua nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me mbështetjen e qeverive të Gjermanisë dhe Zvicrës përmes GIZ-it në Kosovë.

Simpoziumi zhvillohet në kuadër të hartimit të Planit të ri Hapësinor të Kosovës dhe reformave në planifikimin hapësinor, ndërtim, banim dhe mbrojtjen e natyrës. Sfida kryesore mbetet shndërrimi i vizionit afatgjatë në plane konkrete dhe zbatim në nivel qendror e lokal.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com