Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me mbështetjen e GIZ-it, do të organizojë më 15 tetor në Prishtinë Simpoziumin Ndërkombëtar “Vizioni Hapësinor i Kosovës 2050”.
Sipas MMPHI-së, simpoziumi do të mbledhë arkitektë, urbanistë dhe ekspertë nga vende të ndryshme, përfshirë Holandën, Belgjikën, Finlandën, Zvicrën dhe Gjermaninë.
Në panelet ndërkombëtare dhe lokale do të diskutohen planifikimi hapësinor, zhvillimi urban dhe rural, tranzicioni i gjelbër, qytetet e mençura dhe reziliente, si dhe lagjet dhe komunitetet e qëndrueshme, përcjell Energy Monitor.
“Do të diskutojmë se si do t’i planifikojmë qytetet dhe fshatrat tona, si do t’i mbrojmë pasuritë dhe resurset natyrore dhe si do të krijojmë hapësira më funksionale, më të gjelbra dhe më të shfrytëzueshme për qytetarët”, ka shkruar ministrja Fitore Pacolli.
Simpoziumi zhvillohet në një kohë kur Kosova po rishikon kornizat ligjore për Planifikimin Hapësinor, Ndërtimin dhe Banimin, si dhe për Parqet Kombëtare, njofton Energy Monitor.
Sipas ministrisë, njëkohësisht po hartohen Plani i ri Hapësinor i Kosovës dhe Strategjia Kombëtare e Banimit.
Rishikimi i planifikimit hapësinor është shoqëruar këtë vit edhe me procese të tjera. MMPHI dhe GIZ kanë nisur një vlerësim të kornizës ligjore ekzistuese, i cili pritet të shërbejë si bazë për hartimin e Ligjit të ri për Planifikimin Hapësinor.
Ndërkohë, GIZ po mbështet edhe rishikimin e normave teknike të planifikimit hapësinor, përfshirë përdorimin e GIS-it dhe të dhënave hapësinore.



