Nxënës të shkollës “Ibrahim Rugova” në Obiliq kanë mbjellë drunj në kuadër të zgjerimit të korridorit të gjelbër, një iniciativë që synon krijimin e hapësirave publike më të gjelbra dhe më rezistente ndaj sfidave mjedisore në komunën pranë termocentraleve të Kosovës.
Aktiviteti u organizua nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me Komunën e Obiliqit. Përveç mbjelljes, nxënësit u informuan për mënyrat se si mund të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit.
Nisma është pjesë e programit City Experiment Fund, i cili ndërthur gjelbërimin urban me monitorimin e cilësisë së ajrit dhe përdorimin e mjeteve digjitale. Qëllimi është që planifikimi i hapësirave të gjelbra të ndihmojë në adresimin e sfidave mjedisore lokale.
Sipas UNDP-së, aktiviteti financohet nga Ministria e Financave e Republikës së Sllovakisë.



