Komisioni Evropian ka përzgjedhur 77 projekte në 23 vende të Zonës Ekonomike Evropiane, të cilat do të mbështeten me gjithsej 3.4 miliardë euro nga Fondi i Inovacionit i Bashkimit Evropian. Financimi synon të përshpejtojë zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive që ndihmojnë në uljen e emetimeve të gazrave serrë.
Projektet përfshijnë një gamë të gjerë sektorësh, nga energjia e ripërtëritshme dhe ruajtja e energjisë deri te prodhimi i teknologjive të pastra, përpunimi dhe riciklimi i lëndëve të para kritike, karburantet alternative dhe teknologjitë për kapjen e karbonit. Për herë të parë, lista përfshin edhe një projekt për një reaktor bërthamor modular të vogël dhe një projekt për kapjen e drejtpërdrejtë të dioksidit të karbonit nga ajri dhe ruajtjen e tij, përcjell Energy Monitor.
Një pjesë e rëndësishme e financimit do të shkojë për prodhimin e pajisjeve të teknologjive të pastra, përfshirë pompat e nxehtësisë, panelet solare, elektrolizuesit dhe bateritë për automjetet elektrike. Mbështetje do të marrin gjithashtu projekte pilot në fusha si energjia e erës, energjia oqeanike, hidrogjeni dhe karburantet alternative për aviacionin.
Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, 77 projektet kanë potencialin të shmangin emetimin e rreth 290 milionë tonëve ekuivalent të gazrave serrë gjatë dhjetë viteve të para të funksionimit. Kjo mbështetje synon të kontribuojë në objektivin e BE-së për arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050, si dhe në forcimin e pavarësisë energjetike dhe konkurrueshmërisë industriale të Evropës.
Financimi vjen nga të hyrat e Sistemit të Tregtimit të Emetimeve të BE-së (EU ETS), të cilat riinvestohen për të mbështetur teknologjitë inovative të dekarbonizimit. Pas këtij raundi, portofoli i përgjithshëm i Fondit të Inovacionit përfshin rreth 320 projekte, me afro 17 miliardë euro grante të zotuara.
Përveç 77 projekteve të përzgjedhura për financim, edhe 84 projekte të tjera që kaluan vlerësimin do të marrin vulën STEP, e cila synon t’ua lehtësojë qasjen në burime të tjera publike dhe private të financimit. Ndërkaq, 160 propozime të tjera mbeten të pranueshme për asistencë në zhvillimin e projekteve përmes Bankës Evropiane të Investimeve.



