Home / Lajme / Tjera / Qytetarët përballen me pengesa në shfrytëzimin e mundësive për energji të pastër në Kosovë

Qytetarët përballen me pengesa në shfrytëzimin e mundësive për energji të pastër në Kosovë

Pavarësisht përparimit të kornizës ligjore në sektorin e energjisë, qytetarët në Kosovë vazhdojnë të përballen me pengesa financiare dhe mungesë informacioni për të shfrytëzuar mundësitë që ofrojnë masat e efiçiencës së energjisë dhe burimet e ripërtëritshme. Këto çështje u diskutuan në një takim të organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Lëvizja FOL në Prishtinë.

Në edicionin e Sallonit të së Martës, të mbajtur më 20 tetor në Librarinë Dukagjini, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të sektorit të energjisë diskutuan për zbatimin e legjislacionit, qasjen në subvencione, prodhimin e energjisë nga panelet solare dhe sfidat e tranzicionit energjetik, përcjell Energy Monitor.

Në panel morën pjesë Granit Restelica nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), Fiona Bakija nga Balkan Green Foundation, Liron Gjocaj nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Laura Kryeziu, eksperte e energjisë dhe bashkëthemeluese e rrjetit Gratë në Energji dhe Miniera.

Subvencionet dhe informimi i qytetarëve

Një nga temat kryesore ishte hendeku ndërmjet mundësive që parashihen në ligje dhe zbatimit të tyre në praktikë. Pjesëmarrësit theksuan se ekzistenca e mekanizmave mbështetës nuk garanton që qytetarët mund t’i shfrytëzojnë ato, veçanërisht kur mungojnë informacioni i qartë dhe mundësitë financiare për të investuar.

Skemat e subvencionimit për efiçiencë të energjisë u trajtuan si një instrument për të ndihmuar familjet të ulin konsumin dhe shpenzimet. Diskutimi përfshiu programet e mëparshme të FKEE-së, të cilat mbulonin një pjesë të kostos së investimeve, si dhe një skemë të re në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), të prezantuar në takim si mundësi për financimin e plotë të investimeve për familjet përfituese.

Megjithatë, u ngrit shqetësimi se familjet me të ardhura të ulëta mund të mbeten jashtë programeve nëse nuk kanë mundësi të mbulojnë paraprakisht shpenzimet ose nëse nuk informohen mjaftueshëm për kriteret dhe procedurat e aplikimit.

Panelet solare dhe komunitetet energjetike

Diskutimi trajtoi edhe mundësinë që qytetarët të përfshihen më drejtpërdrejt në prodhimin e energjisë elektrike, përmes instalimit të paneleve solare në kulmet e shtëpive dhe zhvillimit të komuniteteve energjetike.

Pjesëmarrësit ngritën nevojën për një vlerësim të fizibilitetit dhe kapacitetit të mundshëm të kulmeve të ndërtesave të banimit për instalimin e paneleve fotovoltaike. Një analizë e tillë do të ndihmonte në identifikimin e potencialit për prodhimin e energjisë për konsum vetjak dhe dërgimin e tepricës në rrjet, në përputhje me rregullat përkatëse, raporton Energy Monitor.

Përfshirja e qytetarëve në prodhimin e energjisë mund të ndihmojë në uljen e faturave dhe në zgjerimin e përdorimit të burimeve të ripërtëritshme, por kërkon rregulla të qarta, procedura të qasshme dhe mekanizma të përshtatshëm financiarë.

Dyshime për arritjen e objektivave deri më 2031

Një tjetër çështje ishte zbatimi i Strategjisë së Energjisë së Kosovës dhe realizimi i objektivave të saj deri në vitin 2031. Sipas diskutimit, ritmi i zbatimit të masave të planifikuara ngre pikëpyetje për përmbushjen e objektivave brenda afateve të përcaktuara.

Pjesëmarrësit theksuan se tranzicioni energjetik nuk duhet të kufizohet në ndryshimin e burimeve të prodhimit, por duhet të marrë parasysh edhe ndikimet sociale dhe ekonomike. Në këtë kontekst, u nënvizua rëndësia e programeve të aftësimit dhe rikualifikimit profesional për punëtorët e sektorit tradicional të energjisë, në mënyrë që ata të kenë mundësi të përshtaten me ndryshimet në tregun e punës.

Diskutimi përfundoi me thirrjen për zbatim më efektiv të politikave energjetike, informim më të mirë të qytetarëve dhe qasje më të lehtë në skemat e mbështetjes. Organizatorët theksuan se suksesi i tranzicionit energjetik duhet të matet edhe përmes përfitimeve konkrete për familjet dhe komunitetet, përballueshmërisë së investimeve dhe mundësive për pjesëmarrje më të gjerë në sektor.

Takimi u zhvillua sipas rregullës Chatham House, e cila mundëson shkëmbimin e hapur të mendimeve pa ua atribuar deklaratat pjesëmarrësve individualë. Aktiviteti u organizua nga D4D dhe Lëvizja FOL me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com