Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) mori pjesë në Forumin Rajonal të Shoqërisë Civile për Tranzicion të Drejtë Energjetik, të mbajtur më 14 tetor në Shkup, ku u diskutua përfshirja e shoqërisë civile dhe forcimi i dialogut social në procesin e tranzicionit energjetik.
Liron Gjocaj, përfaqësues i INDEP, ishte panelist në sesionin “Përvojat rajonale dhe praktikat e mira nga Evropa Juglindore”, së bashku me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga Greqia, Bullgaria, Serbia dhe Shqipëria.
Diskutimet u përqendruan në përvojat e vendeve të rajonit, përfshirjen e komuniteteve lokale dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile. Një vëmendje e veçantë iu kushtua dialogut social si pjesë e rëndësishme e tranzicionit energjetik, përcjell Energy Monitor.
Sipas INDEP, tranzicioni i drejtë nuk nënkupton vetëm kalimin drejt burimeve të pastra të energjisë, por edhe sigurimin që ky proces të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent, duke marrë parasysh ndikimet ekonomike e sociale te qytetarët dhe komunitetet e prekura.
Pjesëmarrja në forume rajonale synon të forcojë shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin ndërmjet organizatave të shoqërisë civile, në mbështetje të politikave energjetike të qëndrueshme dhe një tranzicioni të drejtë në Kosovë dhe rajon.



