Kapaciteti i instaluar i energjisë së erës në Afrikë arriti në 11.1 gigavat (GW) në fund të vitit 2025, pas shtimit të 1.53 GW gjatë vitit, sipas raportit të Këshillit Global të Energjisë së Erës (GWEC). Kapaciteti i instaluar në kontinent është rritur për më shumë se 23 për qind krahasuar me vitin 2023, kur ishte pak më i ulët se 9 GW.
Megjithatë, zhvillimi i sektorit mbetet i përqendruar në disa vende. Afrika e Jugut, Egjipti dhe Maroku përbëjnë së bashku më shumë se 85 për qind të kapacitetit të instaluar të erës në kontinent. Këto tri tregje udhëhoqën edhe instalimet e reja gjatë vitit 2025.
Sipas GWEC, në Afrikë janë planifikuar 186 GW kapacitete të reja të energjisë së erës, të shpërndara në 259 projekte. Përveç tregjeve kryesore, projekte të mundshme po zhvillohen edhe në Mauritani, Algjeri, Tanzani, Zambi, Madagaskar, Kamerun dhe Angolë, njofton Energy Monitor.
Potenciali teknik i Afrikës për energjinë e erës në tokë vlerësohet në rreth 58,400 GW, çka tregon se vetëm një pjesë shumë e vogël e burimeve të mundshme është shfrytëzuar deri më tani. GWEC vlerëson se kapaciteti i instaluar në kontinent mund të arrijë në 30 deri në 50 GW deri në vitin 2035.
Një nga shtytësit e rritjes është kërkesa e industrisë për energji elektrike. Minierat, prodhuesit e çimentos, shkritoret dhe kompanitë e plehrave kimike po shqyrtojnë gjithnjë e më shumë kontratat afatgjata të furnizimit me energji të ripërtëritshme, përfshirë marrëveshjet për blerjen e energjisë elektrike (PPA).
Në Afrikën e Jugut, reformat rregullatore kanë mundësuar nënshkrimin e kontratave për më shumë se 3.3 GW energji të erës përmes marrëveshjeve me blerësit korporativë, brenda më pak se 30 muajsh.
Sipas GWEC, zgjerimi i sektorit do të varet nga aftësia e vendeve për të përshpejtuar investimet, për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe për të zhvilluar rrjetet e transmetimit. Përmbushja e këtyre kushteve do të jetë thelbësore që potenciali i madh i erës në Afrikë të shndërrohet në kapacitete prodhuese dhe furnizim të besueshëm me energji elektrike.



