Home / Lajme / Kosova / FKEE prezanton përvojën e Kosovës në Madrid, vendi përfshihet për herë të parë në raportin global për kompanitë e shërbimeve energjetike

FKEE prezanton përvojën e Kosovës në Madrid, vendi përfshihet për herë të parë në raportin global për kompanitë e shërbimeve energjetike

Kosova është përfshirë për herë të parë në raportin Global ESCO Market 2026, me një studim rasti për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe fondin e tij qarkullues. Përvoja e vendit u prezantua në Simpoziumin e tretë ndërkombëtar të kompanive të shërbimeve energjetike (ESCO-ve), të mbajtur më 20 dhe 21 tetor në Madrid të Spanjës.

Delegacioni i Kosovës u organizua nga Balkan Green Foundation (BGF), me mbështetjen e Agjencisë së Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor (LuxDev), dhe përfshinte drejtoreshën menaxhuese dhe drejtorin e operacioneve të FKEE-së, si dhe një ekspert për zhvillimin e kapaciteteve nga LuxDev, përcjell Energy Monitor.

ESCO-t janë kompani që ofrojnë shërbime energjetike dhe mund të realizojnë investime për kursimin e energjisë, me pagesën e tyre të lidhur me performancën dhe rezultatet e arritura.

Sipas BGF-së, Kosova ka regjistruar normën më të lartë të kursimeve të parashikuara të energjisë ndër vendet që kanë raportuar të dhëna, rreth 45 për qind.

Këto janë kursime të projektuara dhe jo rezultate të verifikuara në mënyrë të pavarur, por tregojnë potencialin e masave për përmirësimin e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike dhe rezidenciale.

Financimi mbetet sfidë për projektet e efiçiencës

Simpoziumi mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, institucioneve financiare dhe kompanive të shërbimeve energjetike, si dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore, Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, Bankën Evropiane të Investimeve dhe Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Diskutimet u përqendruan në mënyrat e financimit të projekteve të efiçiencës, ndarjen e rreziqeve ndërmjet partnerëve dhe verifikimin e kursimeve të arritura. Një nga sfidat kryesore për zhvillimin e tregut të ESCO-ve mbetet sigurimi i financimit dhe garantimi i rezultateve të matshme.

Pjesëmarrësit shqyrtuan edhe modelet e kontraktimit të bazuar në performancë dhe mundësitë për bashkimin e projekteve më të vogla të rinovimit, në mënyrë që ato të ulin kostot dhe të bëhen më tërheqëse për investitorët.

Përvojat e tregjeve më të zhvilluara mund të shërbejnë si udhërrëfyes, por modelet duhet të përshtaten me kushtet dhe nevojat e secilit vend.

Skema të reja financiare për Kosovën

Gjatë simpoziumit, drejtoresha menaxhuese e FKEE-së mori pjesë në një panel të moderuar nga Banka Botërore, së bashku me përfaqësues nga Moldavia dhe Azerbajxhani. Diskutimet trajtuan qasjet kombëtare për financimin e efiçiencës së energjisë dhe zhvillimin e tregjeve të ESCO-ve.

Hoxha prezantoi projektet dhe arritjet e FKEE-së, duke vënë theksin te përpjekjet për përfshirjen e bankave komerciale në mekanizmat e financimit të masave të efiçiencës së energjisë. Qëllimi është zgjerimi i mundësive të financimit dhe lehtësimi i qasjes së familjeve dhe bizneseve në investime që ulin konsumin e energjisë.

BGF vlerësoi se përvoja e shkëmbyer në Madrid mund të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të mekanizmave financiarë që mbështeten nga LuxDev për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe sektorin rezidencial. Këta mekanizma ndërthurin grantet, kontributet vetjake dhe kreditë bankare.

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i Tranzicionit të Gjelbër në Kosovë”, BGF mbështet komunat në zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë dhe bashkëpunon me institucionet për të lehtësuar qasjen në financim.

Zgjerimi i skemave të financimit synon të përmirësojë qasjen e familjeve dhe bizneseve në investime që ulin konsumin dhe shpenzimet për energji.

Pjesëmarrja e Kosovës në simpozium u mbështet nga projekti “Tranzicioni i Energjisë dhe Zbutja e Ndryshimeve Klimatike në Kosovë”, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i zbatuar nga LuxDev.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com