Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka publikuar një udhëzues praktik për raportimin mbi ndryshimet klimatike, me synimin që t’i ndihmojë gazetarët të trajtojnë këtë temë përtej fushës së mjedisit dhe ta lidhin atë me energjinë, ekonominë, shëndetësinë, bujqësinë dhe politikat publike.
Udhëzuesi, i përgatitur nga Uran Haxha, synon t’u ofrojë gazetarëve, redaktorëve dhe studentëve të gazetarisë njohuri bazë shkencore dhe institucionale për të bërë pyetjet e duhura, për të dalluar faktet nga pretendimet dhe për të interpretuar raportet e të dhënat që lidhen me klimën.
“Ndryshimet klimatike nuk janë vetëm çështje mjedisore. Ato prekin bujqësinë, ekonominë, shëndetin dhe jetën tonë të përditshme. Prandaj, na duhet më shumë gazetari që i trajton këto tema me thellësi dhe ua shpjegon qytetarëve pasojat e tyre”, ka shkruar gazetari Uran Haxha pas publikimit të udhëzuesit.
Publikimi thekson se ndryshimet klimatike ndikojnë në mënyrën e prodhimit dhe konsumit të energjisë, menaxhimin e ujit dhe pyjeve, bujqësinë, planifikimin urban, shëndetin publik dhe investimet. Për këtë arsye, raportimi për klimën mund të lidhet me një sërë fushash të tjera, përfshirë ekonominë, politikën dhe drejtësinë sociale, përcjell Energy Monitor.
Udhëzuesi synon t’i ndihmojë gazetarët të lidhin ngjarjet lokale me kontekstin më të gjerë klimatik, pa nxjerrë përfundime që nuk mbështeten në dëshmi shkencore. Ai nuk synon t’i shndërrojë gazetarët në ekspertë të shkencave klimatike, por t’u japë mjete për të vlerësuar më mirë informacionin dhe për të raportuar me saktësi.
Publikimi është përgatitur në bashkëpunim me AGK-në, në kuadër të projektit “Mbështetje për Partneritetin për Tranzicionin Klimatik dhe Energjetik”. Projekti mbështetet nga Ministria Federale Gjermane për Mjedisin, Veprimin Klimatik, Ruajtjen e Natyrës dhe Sigurinë Bërthamore, përmes Nismës Ndërkombëtare për Klimën (IKI), dhe zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ).
Udhëzuesi është publikuar më 25 tetor 2026 dhe mund të lexohet në faqen e AGK-së: https://agk-ks.org/publikime/gazetaria-per-ndryshime-klimatike-ne-kosove-udhezues-praktik-per-gazetare/



