Asociacioni i Komunave të Kosovës, në bashkëpunim me projektin GIZ Kosovo4Green, ka organizuar një vizitë studimore në Lubjanë dhe Kranj të Sllovenisë, ku përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës janë njohur me praktikat e planifikimit hapësinor, përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe zhvillimit të qëndrueshëm urban.
Në vizitë morën pjesë përfaqësues të Kolegjiumit për Planifikim dhe Urbanizëm të Asociacionit, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe Institutit për Planifikim Hapësinor të Kosovës.
Gjatë takimeve në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Sllovenisë u diskutuan korniza ligjore, Strategjia e Zhvillimit Hapësinor deri në vitin 2050 dhe Sistemi i Informacionit Hapësinor. Në Lubjanë, delegacioni u njoh me nismat për neutralitetin klimatik, përfshirë pjesëmarrjen e qytetit në Misionin e Bashkimit Evropian për 100 qytete klimatikisht neutrale, si dhe me projekte të bazuara në natyrë, përcjell Energy Monitor.
Programi përfshiu edhe takime me Institutin Urban të Republikës së Sllovenisë dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Gjeodezisë, ku u trajtuan qasjet praktike për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe rëndësia e të dhënave gjeodezike.
Në Kranj, përfaqësuesit e Kosovës u njohën me shembuj të shërbimeve ndërkomunale dhe projekteve për mbrojtjen e biodiversitetit urban, të prezantuara nga komuna dhe Agjencia Rajonale e Zhvillimit të Gorenjska-s.
Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, vizita synoi shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me modele që mund të ndihmojnë institucionet vendore në planifikimin hapësinor, zhvillimin urban dhe përballimin e sfidave klimatike.



