Klubi Alpin i Zvicrës detyrohet të zhvendosë disa strehimore dhe të shpenzojë miliona për objekte të reja dhe masa mbrojtëse.
Ngrohja globale po destabilizon gjithnjë e më shumë Alpet zvicerane, pasi shkrirja e ngricave të përhershme dhe tërheqja e akullnajave po kërcënojnë infrastrukturën malore, duke prekur gati gjysmën e strehimoreve alpine në Zvicër, transmeton Anadolu.
Klubi Alpin i Zvicrës (SAC) po detyrohet të zhvendosë disa strehimore dhe të shpenzojë miliona për ndërtimin e objekteve të reja dhe zbatimin e masave mbrojtëse, raportoi mediumi “Swiss Info”. Çarjet në strehimoren malore Mutthorn, në Oberlandin Bernas, ishin përhapur dhe zgjeruar vazhdimisht, derisa ajo u mbyll në vitin 2021 për shkak të rrezikut të shembjes si pasojë e shkrirjes së ngricave të përhershme.
“E dinim se kjo strehimore ndoshta nuk do të qëndronte edhe njëqind vjet. Por fakti që u shemb kaq shpejt na frikësoi vërtet”, tha Fabienne Notter, presidente e seksionit Weissenstein të Klubit Alpin të Zvicrës, për transmetuesin publik zviceran RTS.
Nga 152 strehimoret e SAC-së të shpërndara në Alpet zvicerane, 65 ndodhen në zona që mund të kërcënohen nga shkrirja e ngricave të përhershme. Edhe rrugët e qasjes po bëhen më të rrezikshme për shkak të rënies së shkëmbinjve, rrëshqitjeve të baltës dhe lëvizjeve të terrenit.
“Nuk mund të parashikojmë se çfarë do të shembet apo kur do të ndodhë kjo. Por, një gjë është e sigurt: do të shembet”, tha Nils Hahlen, përgjegjës për rreziqet natyrore në kantonin e Bernës. Akullnaja Aletsch po humbet nga katër deri në gjashtë metra trashësi çdo vit, duke bërë që shkallët të zgjaten çdo dy ose tre vjet.
“Kur nuk do të ketë më ujë nga shkrirja e akullit, uji në dispozicion duhet të mjaftojë deri në majin e vitit pasues”, tha Christoph Sager, përgjegjësi i strehimores.
Në një rast, një strehimore e re që zëvendësoi atë të Mutthornit u ndërtua pak më shumë se 900 metra larg vendndodhjes së vjetër, në një terren më të qëndrueshëm dhe në një zonë më pak të ekspozuar ndaj ortekëve.
Strehimorja e vjetër u çmontua plotësisht në verën e vitit 2025, me një kosto prej më shumë se 480 mijë dollarësh.
/aa.com.tr



