Kosova duhet të kalojë nga nxjerrja e lëndëve të para drejt përpunimit të tyre brenda vendit, në mënyrë që të krijojë më shumë vlerë të shtuar, vende pune dhe përfitime për ekonominë vendore. Për këtë, nevojiten investime, modernizim teknologjik dhe kushte më të parashikueshme për investitorët në sektorin minerar.
Këto ishin disa nga mesazhet kryesore të diskutimit “Sektori minerar dhe lëndët e para kritike në Kosovë: Mundësitë e investimeve për bizneset amerikane”, të organizuar nga Komiteti i Grave në Energji dhe Miniera në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, Arben Mustafa, tha se krijimi i një mjedisi të favorshëm për investime kërkon procedura më të thjeshta, afate të qarta dhe siguri më të madhe juridike, përcjell Energy Monitor.
Ai theksoi se investitorët duhet të kenë kushte të parashikueshme dhe se procedurat burokratike nuk duhet të pengojnë zhvillimin e biznesit. Sipas tij, përfitimet nga pasuritë minerare duhet të mbeten sa më shumë brenda ekonomisë së Kosovës, përmes përpunimit të lëndëve të para, transferimit të teknologjisë dhe krijimit të vendeve të qëndrueshme të punës.
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Triera Kasumi Berisha, tha se synimi i Qeverisë është që zhvillimi i sektorit minerar të fuqizojë industrinë vendore dhe të krijojë më shumë mundësi për përpunimin e mineraleve në Kosovë.
Ajo e veçoi Trepçën si aset strategjik të vendit, duke theksuar se përmirësimi i operimit të ndërmarrjes duhet të mbështetet me investime, menaxhim më të përgjegjshëm dhe modernizim të teknologjisë. Këto masa, sipas saj, duhet të përkthehen në rritje të kapaciteteve prodhuese dhe kushte më të mira për punëtorët.
Kasumi Berisha bëri të ditur se Ministria synon të avancojë planet për skanimin dhe vlerësimin e pasurive minerale, si dhe të shqyrtojë mundësitë për gazifikimin e qymyrit. Ajo tha se kjo e fundit duhet të bazohet në analiza të plota të fizibilitetit ekonomik, teknologjik dhe mjedisor, transmeton Energy Monitor.
Ndërkaq, rektorja e Universitetit të Mitrovicës, Nurten Deva, vlerësoi se pasuritë minerare nuk përbëjnë përparësi të mjaftueshme nëse vendi nuk zhvillon edhe kapacitetet për përpunimin e tyre.
Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, institucioneve publike dhe kompanive private, duke përmendur Trepçën, Feronikelin dhe Sharrcemin si shembuj të ndërmarrjeve ku mund të zhvillohen kapacitete dhe linja të reja prodhimi.
Sipas Devës, njohuritë akademike dhe hulumtimet duhet të kenë rol më të madh në zhvillimin e sektorit minerar, ndërsa vendimmarrja për shfrytëzimin e pasurive duhet të marrë parasysh jo vetëm përfitimet ekonomike, por edhe ndikimin në mjedis.
Diskutimi u përqendrua edhe në mundësitë për përfshirjen e investitorëve amerikanë në sektorin minerar të Kosovës, përmes kapitalit, teknologjisë dhe ekspertizës, si dhe në nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.



