Trepça Sh.A. ka shënuar rezultate të reja pozitive në aktivitetin minerar gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, me rritje të prodhimit dhe eksportit të koncentrateve të plumbit dhe zinkut nga dy njësitë kryesore operative: Miniera me Flotacion Kishnicë dhe Artanë dhe Miniera me Flotacion Trepça – Stan Tërg.
Sipas të dhënave të publikuara nga kompania, miniera me flotacion Kishnicë dhe Artanë ka regjistruar performancën më të lartë për periudhën janar–qershor në krahasim me vitet paraprake.
Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026 janë prodhuar dhe eksportuar 333.29 ton koncentrat plumbi dhe 619.81 ton koncentrat zinku, duke tejkaluar rezultatet e viteve të mëparshme për të njëjtën periudhë, njofton Energy Monitor.
Edhe miniera me flotacion Trepça – Stan Tërg ka vazhduar aktivitetin e saj prodhues dhe eksportues, duke ruajtur një nivel të qëndrueshëm të furnizimit të tregjeve ndërkombëtare me koncentrate minerare.
Në gjysmën e parë të vitit 2026, kjo njësi ka prodhuar dhe eksportuar 1,607.30 ton koncentrat plumbi dhe 2,401.12 ton koncentrat zinku.


Rezultatet tregojnë një diferencë të konsiderueshme në kapacitetet prodhuese mes dy njësive, me Stan Tërgun që mbetet kontribuesi kryesor në prodhimin total të koncentrateve, ndërsa Kishnica & Artana ka shënuar rritje të dukshme krahasuar me vitet e kaluara, përcjell Energy Monitor.
Trepça Sh.A. thekson se përmirësimi i rezultateve vjen si rezultat i angazhimit për rritjen e efikasitetit operacional, konsolidimin e kapaciteteve prodhuese dhe forcimin e pozitës së kompanisë në tregjet ndërkombëtare të mineraleve.
Plumbi dhe zinku janë ndër mineralet kryesore të nxjerra nga kompleksi minerar i Trepçës, ndërsa koncentratet e prodhuara eksportohen për përpunim të mëtejshëm në tregjet jashtë Kosovës.
Rritja e prodhimit minerar përbën një nga zhvillimet e rëndësishme për sektorin industrial të Kosovës, duke pasur ndikim në eksport, punësim dhe përdorimin e burimeve natyrore të vendit.



