Operatorët e rrjetit elektrik në Kosovë kanë ndjekur një trajnim treditor për analizimin e kapaciteteve të rrjetit për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, me fokus në identifikimin e kufizimeve që mund të pengojnë kyçjen e kapaciteteve të reja solare.
Punëtoria për analizimin e kapacitetit pritës të rrjetit u organizua nga GIZ-i në bashkëpunim me GET.transform. Trajnimi u përqendrua në vlerësimin e kapaciteteve të rrjeteve të shpërndarjes për të pranuar prodhimin nga burimet e ripërtëritshme, në mënyrë që planifikimi i rrjetit të mbështesë integrimin e sigurt dhe të besueshëm të energjisë solare.
Gjatë ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit modeluan rrjetet elektrike, analizuan rrjedhat e energjisë dhe identifikuan kufizimet teknike. Këto aftësi mund të ndihmojnë në vlerësimin më të saktë të mundësive për kyçjen e projekteve të reja dhe në planifikimin e investimeve të nevojshme në rrjet, përcjell Energy Monitor.
Sipas GIZ-it, zgjerimi i kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme kërkon edhe përgatitjen e infrastrukturës së transmetimit dhe shpërndarjes, në mënyrë që rrjeti të mund të përballojë prodhimin shtesë dhe të ruajë besueshmërinë e furnizimit.
Trajnimi u zhvillua në kuadër të projektit që mbështet Partneritetin Kosovë–Gjermani për Klimën dhe Tranzicionin Energjetik, i zbatuar nga GIZ-i dhe i përkrahur nga Ministria Federale Gjermane për Mjedisin, Veprimin për Klimën, Ruajtjen e Natyrës dhe Sigurinë Bërthamore, përmes Iniciativës Ndërkombëtare për Klimën.



