Home / Lajme / Rrjeti elektrik / Katër banka financojnë investimet e KEDS-it përmes kredisë së parë të sindikuar në Kosovë

Katër banka financojnë investimet e KEDS-it përmes kredisë së parë të sindikuar në Kosovë

BKT Kosova ka udhëhequr transaksionin e parë të kredisë së sindikuar në Kosovë, me pjesëmarrjen e tri bankave të tjera, për të mbështetur programin e investimeve të Kompanisë Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS).

Në këtë transaksion, Banka Ekonomike ka shërbyer si bashkëkoordinatore, ndërsa Pribank dhe Ziraat Bank Kosova kanë marrë pjesë si banka financuese. Sipas njoftimit të BKT-së, transaksioni është përmbyllur në kuadër të udhëzuesit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për kreditë e sindikuara.

Kredia synon të financojë modernizimin dhe zgjerimin e infrastrukturës së shpërndarjes së energjisë elektrike në Kosovë, në kuadër të programit strategjik të investimeve të KEDS-it. Financimi pritet të kontribuojë në forcimin e sigurisë energjetike dhe përmirësimin e cilësisë dhe besueshmërisë së shërbimeve të shpërndarjes.

BKT Kosova ka vepruar si koordinatore, organizuese kryesore e mandatuar, huadhënëse dhe agjente e kredisë dhe e sigurisë. Banka Ekonomike ka marrë rolin e bashkëkoordinatores dhe huadhënëses, ndërsa Pribank dhe Ziraat Bank Kosova janë përfshirë si huadhënëse, përcjell Energy Monitor.

Kryeshefi ekzekutiv i BKT Kosova, Suat Bakkal, e ka cilësuar transaksionin si një arritje të rëndësishme për sektorin financiar, duke theksuar se bashkëpunimi mes bankave krijon mundësi për financimin e investimeve më të mëdha strategjike.

Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i KEDS-it, Alpin Doğan, ka thënë se financimi do të mbështesë modernizimin dhe fuqizimin e rrjetit të shpërndarjes, si dhe përmbushjen e nevojave në rritje të vendit për energji elektrike.

Në realizimin e transaksionit kanë kontribuar edhe firma ligjore Hogan Lovells, si këshilltare ndërkombëtare, dhe Koci & Vokshi, si këshilltare vendore.

Kredia e sindikuar u mundëson disa bankave të bashkojnë kapacitetet financiare për të financuar një huamarrës të vetëm, duke ndarë ekspozimin ndaj rrezikut. Sipas BKT-së, ky është transaksioni i parë i përmbyllur në Kosovë në kuadër të udhëzuesit të BQK-së për këtë lloj financimi.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com