Home / Lajme / Kosova / Përfundon projekti i BE-së për njehsorët inteligjentë në veri, janë instaluar mbi 20 mijë pajisje

Përfundon projekti i BE-së për njehsorët inteligjentë në veri, janë instaluar mbi 20 mijë pajisje

Bashkimi Evropian, KEDS-i dhe Elektroseveri kanë shënuar përfundimin e projektit prej 3.3 milionë eurosh për furnizimin me njehsorë inteligjentë të energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës. Në kuadër të projektit, gjatë viteve 2025 dhe 2026 janë instaluar mbi 20 mijë pajisje në amvisëri dhe biznese.

Përfundimi i projektit u shënua në një aktivitet në Mitrovicën e Veriut. Njehsorët e rinj mundësojnë matjen më të saktë të konsumit dhe faturimin e energjisë elektrike, ndërsa leximi i tyre mund të bëhet nga distanca. Kjo u mundëson konsumatorëve dhe kompanive të kenë qasje në të dhënat e konsumit.

Instalimi i njehsorëve u realizua përmes bashkëpunimit ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit, me financim nga Bashkimi Evropian. Pajisjet janë vendosur në katër komunat veriore: Mitrovicën e Veriut, Zveçanin, Zubin Potokun dhe Leposaviqin, përcjell Energy Monitor.

Investimi lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë, të dakorduar nga Kosova dhe Serbia në vitin 2022 në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja synon integrimin e furnizimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në veri në sistemin energjetik të Kosovës. Në këtë kuadër, Elektroseveri, si kompani e licencuar për furnizimin e konsumatorëve në atë pjesë të vendit, bashkëpunon me KEDS-in për shpërndarjen dhe matjen e konsumit.

Instalimi i mbi 20 mijë njehsorëve shënon përfundimin e një investimi të rëndësishëm teknik në këtë proces, duke krijuar mundësi për matje dhe faturim më të saktë të energjisë së shpenzuar në katër komunat veriore.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com