KEDS-i po realizon një sërë investimesh në rrjetin elektrik të fshatit Bogë të Komunës së Pejës, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe përmirësimit të cilësisë së furnizimit me energji elektrike.
Sipas njoftimit të kompanisë, punimet përfshijnë zëvendësimin e 245 shtyllave të vjetra prej druri me shtylla të reja betoni, modernizimin e rrjetit të tensionit të ulët dhe instalimin e pesë transformatorëve të rinj, përfshirë katër trafostacione të reja.
Vlera e përgjithshme e planifikuar e investimit është 342,403.98 euro. Deri më tani, KEDS-i ka realizuar punime në vlerë prej rreth 202,005.67 euro, përcjell Energy Monitor.
Kompania thotë se me përfundimin e projekteve, konsumatorët në Bogë do të përfitojnë nga një infrastrukturë më moderne dhe më e sigurt, si dhe nga furnizim më cilësor me energji elektrike.
Investimet janë pjesë e angazhimit të KEDS-it për modernizimin e rrjetit të shpërndarjes në vend.



