Home / Lajme / Energjia e ripërtëritshme / Pesë institucione publike në Junik përfundojnë investimet në efiçiencë të energjisë

Pesë institucione publike në Junik përfundojnë investimet në efiçiencë të energjisë

Pesë institucione publike në Junik do të përfitojnë nga sisteme më efikase të ngrohjes dhe masa të tjera për kursimin e energjisë, pas përfundimit të investimeve të realizuara përmes projektit ndërkufitar “EFFORT”, të financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA Shqipëri–Kosovë.

Projekti është vazhdim i një iniciative që Energy Monitor e kishte raportuar edhe në shtator të vitit 2025, kur ishte prezantuar bashkëpunimi ndërmjet Junikut dhe Mirditës për investime në energji të ripërtëritshme dhe efiçiencë të energjisë.

Investimet janë realizuar në objektin e Komunës së Junikut, shkollën fillore “Edmon Hoxha”, gjimnazin “Kuvendi i Junikut”, çerdhen “Yjet e Gjeravicës” dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, përcjell Energy Monitor.

Punimet kanë përfshirë instalimin e paneleve solare, zëvendësimin e sistemeve të ngrohjes me naftë me sisteme të reja me pompa, si dhe ndërrimin e dritareve në objektin e komunës dhe në QKMF.

Sipas Ali Kuçit, udhëheqës në QKMF-në e Junikut, kalimi nga ngrohja me naftë në sistemin e ri pritet të ulë faturat e energjisë dhe të përmirësojë kushtet për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.

Ndërkaq, Elvis Ndreka, menaxher i projektit “EFFORT”, tha se investimet pritet të sjellin kursime prej së paku 50 mijë eurosh në vit, pasi institucionet nuk do të përdorin më naftë dhe pelet për ngrohje. Sipas tij, përveç uljes së kostove, projekti synon edhe reduktimin e emetimeve të karbonit.

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Ritva Heikkinen, e cilësoi projektin si një hap drejt promovimit të energjisë së ripërtëritshme dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivel lokal. Projekti ka bashkuar Komunën e Junikut dhe Bashkinë e Mirditës përmes bashkëpunimit ndërkufitar.

Vlera e përgjithshme e projektit IPA Shqipëri–Kosovë është mbi 463 mijë euro. Me përfundimin e investimeve në pesë institucionet publike, Juniku synon të ulë shpenzimet për energji dhe të përmirësojë kushtet në ndërtesat që ofrojnë shërbime publike.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com