Qeveria e Kosovës ka miratuar ndarjen e 1.49 milion eurove për Komunën e Prizrenit, për realizimin e projektit të efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike. Vendimi u mor në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, të mbajtur më 28 tetor.
Shuma prej 1,489,670 eurosh do të ndahet përmes Klauzolës së Investimeve, me qëllim të përmbushjes së obligimeve financiare që lidhen me punët e realizuara në kuadër të projektit, në përputhje me dinamikën e zbatimit të tij.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria miratoi edhe Raportin për Gjendjen e Mjedisit në Kosovë për vitin 2025, i cili do t’i procedohet Kuvendit për shqyrtim, përcjell Energy Monitor.
Qeveria miratoi gjithashtu propozimin për emërimin e 15 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, përfshirë ekspertë në fushat e energjetikës, elektrokimisë, inxhinierisë mjedisore dhe elektronikës. Në fushën e energjetikës, në listën e propozuar është Arven Syla.
Në kuadër të vendimeve të tjera, Qeveria miratoi katër projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit juridik me Suedinë dhe Belgjikën, si dhe raportin për vlerësimin ex-post të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Po ashtu, u miratuan vendime për shpronësime që lidhen me disa projekte infrastrukturore, përfshirë rrugën Korishë–Kabash në Prizren, rrugën tranzit në Klinë dhe segmentin Banullë–Bresalc të autostradës Prishtinë–Gjilan–Dheu i Bardhë.



