Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka pritur një delegacion gjerman në ndërtesat e banimit social në Prishtinë, ku ka zbatuar masa të efiçiencës së energjisë me financim të Bashkimit Evropian.
Në vizitë morën pjesë Dr. Micong Klimes nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), si dhe përfaqësues të Ambasadës Gjermane dhe GIZ-së.
Gjatë vizitës u prezantuan investimet e realizuara në këto ndërtesa dhe u theksua mbështetja shumëvjeçare e Qeverisë Gjermane, përmes GIZ-së, për forcimin e kapaciteteve të FKEE-së dhe zgjerimin e investimeve të Fondit përtej ndërtesave publike komunale, përcjell Energy Monitor.
Sipas FKEE-së, mbështetja aktuale synon zhvillimin e mekanizmave të qëndrueshëm të financimit për projektet e efiçiencës së energjisë dhe burimeve të ripërtëritshme, përfshirë edhe ndërtesat shumëbanesore në pronësi private.
Këto investime synojnë të ulin shpenzimet për energji, të përmirësojnë kushtet e banimit dhe të kontribuojnë në tranzicionin e gjelbër të Kosovës.



