Pesë komuna të rajonit të Dukagjinit kanë zhvilluar një plan të përbashkët për menaxhimin e integruar të mbeturinave, i cili synon të përmirësojë organizimin e këtij shërbimi dhe të nxisë praktika më të qëndrueshme në nivel lokal.
Përparimi dhe sfidat në zbatimin e planit u diskutuan në Junik, në një takim ku morën pjesë kryetarët e komunave, përfaqësues të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Ambasadës Gjermane, GIZ-it dhe bankës zhvillimore KfW.
Në takim ishte i pranishëm edhe Dr. Micong Klimes, zyrtar përgjegjës për Kosovën në BMZ. Diskutimet u përqendruan në rezultatet e arritura dhe prioritetet për përmirësimin e mëtejshëm të menaxhimit të mbeturinave në rajon, përcjell Energy Monitor.
Me mbështetjen e Qeverisë gjermane përmes GIZ-it, pesë komunat kanë hartuar Planin Ndërkomunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave, i cili krijon një kornizë të përbashkët për bashkëpunimin dhe organizimin më efikas të këtij shërbimi.
Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve gjermanë është pjesë edhe e diskutimeve më të gjera për investimet dhe reformimin e sektorit të mbeturinave në Kosovë.
Pas takimit, përfaqësuesit vizituan lagjen “Agim Ramadani” në Junik, ku panë nga afër zbatimin e planit në terren. Nisma synon të përfshijë më shumë familje në ndarjen e mbeturinave në burim, me qëllim të krijimit të lagjeve më të pastra dhe përmirësimit të menaxhimit të tyre.
Reformat në këtë sektor përfshijnë edhe ndryshimet në kuadrin ligjor dhe krijimin e mekanizmave të rinj për menaxhimin dhe riciklimin e mbeturinave.



