Home / Lajme / Tjera / Kosova humb 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes, rrezikohen edhe 131.5 milionë të tjera

Kosova humb 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes, rrezikohen edhe 131.5 milionë të tjera

Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi nuk ka arritur t’i përmbushë gjashtë nga 13 hapat e reformave që kishin afat deri në fund të qershorit 2026. Këtë e ka bërë të ditur kryenegociatori i Kosovës me BE-në dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj.

Duke raportuar para Komisionit për Integrim Evropian, Zulfaj ka thënë se nga 13 hapat që kishin periudhë shtesë për përmbushje deri në qershor, Kosova ka zbatuar shtatë, ndërsa gjashtë të tjerë nuk janë përfunduar në afat.

“Llogaritet mbi 40 milionë euro, ose më saktë 43.8 milionë euro, të cilat kanë humbur në afatin e qershorit”, ka deklaruar Zulfaj, përcjell Energy Monitor.

Ai ka theksuar se shumica e reformave të papërmbushura kërkonin miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një periudhë kur institucioni ishte i shpërndarë.

Mes reformave që nuk u përfunduan në afat janë edhe ato që lidhen me sektorin e energjisë. Më herët, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte paralajmëruar se Kosova rrezikonte të humbiste 9.4 milionë euro për shkak të mosmiratimit të Ligjit për Energjinë dhe Ligjit për Energjinë Elektrike.

Sipas Zulfajt, reformat e papërmbushura janë rikthyer në proces dhe synohet që të miratohen gjatë këtij viti. Në mesin e tyre janë ligjet për energjinë dhe falimentimin, pakoja ligjore për drejtësinë dhe strategjia për luftimin e krimit të organizuar.

Megjithatë, Kosova përballet me një afat tjetër të rëndësishëm. Deri më 31 dhjetor duhet t’i përmbushë edhe 22 hapa reformues, me vlerë prej 131.5 milionë eurosh. Zulfaj ka bërë të ditur se dhjetë akte duhet të miratohen në Kuvend, ndërsa disa projektligje të tjera pritet të procedohen nga Qeveria.

Ai ka përmendur edhe kohën që nevojitet për konsultimin e projektligjeve me Komisionin Evropian, i cili mund të marrë rreth 90 ditë për t’i kthyer komentet. Kjo mund të ndikojë në përmbushjen e afateve të mbetura.

Plani i Rritjes për Kosovën ka vlerë të përgjithshme prej 882.6 milionë eurosh, në formë grantesh dhe kredish të favorshme, të lidhura me zbatimin e 111 hapave reformues. Në prill të këtij viti, vendi kishte nisur të përfitonte 61.8 milionë euro parafinancim nga ky instrument.

Më 15 korrik, Kosova kishte dorëzuar kërkesën e parë për pagesë, duke raportuar për 20 hapa të zbatuar, me vlerë prej 153.4 milionë eurosh. Shuma përfundimtare që do të disbursohet pritet të përcaktohet nga vlerësimi i Bashkimit Evropian.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com