Home / Lajme / Kosova / Rizvanolli: Kosova rrezikon t’i humbasë 9.4 milionë euro nga Plani i Rritjes në sektorin e energjisë

Rizvanolli: Kosova rrezikon t’i humbasë 9.4 milionë euro nga Plani i Rritjes në sektorin e energjisë

Kosova rrezikon të humbasë 9.4 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian vetëm në sektorin e energjisë, për shkak të mosmiratimit të dy projektligjeve kyçe: Ligjit për Energjinë dhe Ligjit për Energjinë Elektrike.

Kështu deklaroi ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë një konference për media, duke theksuar se këto mjete janë të lidhura drejtpërdrejt me përmbushjen e reformave të parapara në kuadër të Agjendës së Reformave.

“Sa i përket obligimeve të sektorit të energjisë, mund të them saktësisht se rreth 9.4 milionë euro rrezikojmë t’i humbim si pasojë e mosmiratimit të dy ligjeve që ndodhen në Kuvend”, tha Rizvanolli.

Ajo shtoi se Qeveria është brenda afateve për përmbushjen e obligimeve të tjera që nuk kërkojnë miratim nga Kuvendi dhe synon që ato të përmbyllen deri më 30 qershor 2026, percjell Energy Monitor.

Rizvanolli fajësoi opozitën për mosmbështetjen e procedurës së përshpejtuar për shqyrtimin e projektligjeve, duke paralajmëruar se humbja e këtyre fondeve do të ndikonte drejtpërdrejt në investimet e planifikuara për modernizimin e sektorit energjetik.

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Kosovo mund të përfitojë deri në 882.6 milionë euro nga Plani i Rritjes për periudhën 2024–2027, me kusht që të përmbushë reformat e dakorduara. Nga kjo shumë, 253 milionë euro janë grante, ndërsa 629 milionë euro janë kredi të favorshme.

Afati i ardhshëm i raportimit për përmbushjen e reformave është 30 qershori 2026. Nëse deri atëherë nuk shënohet progres i mjaftueshëm, vendi mund të humbasë një pjesë të konsiderueshme të fondeve të parapara nga Bashkimi Evropian.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com