Kapaciteti i impianteve për prodhimin e hidrogjenit përmes elektrolizës në Evropë po rritet, por sektori ende përballet me sfida që lidhen me kostot, kërkesën dhe sigurinë rregullative. Sipas organizatës Hydrogen Europe, kapaciteti operues pritet t’i afrohet 1 gigavatit, ndërsa deri në vitin 2030 synohet të arrijë në 4 gigavat.
Sipas raportit Clean Hydrogen Monitor të Hydrogen Europe, deri në fund të korrikut kapaciteti i impianteve të elektrolizës në Evropë kishte arritur në 677 megavat. Organizata pret që deri në fund të vitit të hyjnë në punë kapacitete të reja, duke e çuar totalin në rreth 1.6 gigavat, ka njoftuar Balkan Green Energy News.
Përveç impianteve që tashmë janë në funksion, 3.7 gigavat kapacitet elektrolize janë në ndërtim. Gjermania, Suedia, Spanja, Holanda dhe Franca përbëjnë së bashku 78 për qind të këtij kapaciteti, përcjell Energy Monitor.
Të dhënat u prezantuan gjatë Javës Evropiane të Hidrogjenit në Bruksel, ku morën pjesë rreth 7,500 persona. Përfaqësues të industrisë dhe institucioneve evropiane diskutuan për rolin që mund të ketë hidrogjeni në uljen e emetimeve dhe në forcimin e sigurisë energjetike të Evropës.
Komisioneri Evropian për Energjinë dhe Strehimin, Dan Jørgensen, tha se hidrogjeni i ripërtëritshëm dhe ai me emetime të ulëta mund të kontribuojnë në një sistem energjetik më të sigurt dhe më të përballueshëm.
Megjithatë, Hydrogen Europe paralajmëron se investimet mund të ngadalësohen nëse nuk ka siguri për rregullat dhe objektivat që krijojnë kërkesë për hidrogjen. Organizata shprehu shqetësim për rrezikun që objektivat e Direktivës së BE-së për Energjinë e Ripërtëritshme (RED III) të mos zbatohen, duke e bërë më të vështirë planifikimin e investimeve afatgjata, njofton Energy Monitor.
Një nga pengesat kryesore mbetet kostoja e lartë e prodhimit të hidrogjenit të gjelbër. Projekte të shumta janë paralajmëruar në Evropë, por jo të gjitha kanë arritur në fazën e vendimit përfundimtar të investimit. Mungesa e blerësve dhe e kontratave afatgjata të furnizimit është një tjetër faktor që po e vështirëson zhvillimin e tregut.
Megjithatë, disa projekte kanë kaluar tashmë në fazën e ndërtimit. Në Spanjë, kompania Repsol ka nisur ndërtimin e një elektrolizuesi me kapacitet 100 megavat në kompleksin industrial Petronor. Impianti pritet të prodhojë deri në 15 mijë tonë hidrogjen të ripërtëritshëm në vit.
Edhe në Kroaci po zhvillohet një projekt i tillë. Konsorciumi KONČAR dhe Siemens Energy është angazhuar për ndërtimin e një impianti 10-megavatësh për prodhimin e hidrogjenit të gjelbër për kompaninë INA, me investim prej 22.5 milionë eurosh.
Rritja e kapacitetit prodhues, megjithatë, nuk mjafton për të krijuar një treg funksional. Zhvillimi i këtij sektori kërkon edhe konsumatorë industrialë, kontrata afatgjata të furnizimit, infrastrukturë për transport dhe ruajtje, si dhe rregulla të qarta për përcaktimin e hidrogjenit të ripërtëritshëm dhe atij me emetime të ulëta.



