Parku i erës Trtar-Krtolin, pranë qytetit të Shibenikut në Kroaci, pritet të modernizohet pas rreth 20 vjetësh operimi. Projekti parasheh zëvendësimin e 14 turbinave ekzistuese me pesë turbina të reja, duke e rritur kapacitetin e instaluar nga 11.2 në 30 megavat. Në projekt është përfshirë edhe një sistem për ruajtjen e energjisë me bateri.
Parku, i ndërtuar nga kompania gjermane wpd dhe i vënë në funksion në vitin 2006, ishte centrali i dytë i erës i ndërtuar në Kroaci. Ai aktualisht përbëhet nga 14 turbina Enercon E-48, secila me kapacitet prej 800 kilovatësh, ka raportuar Balkan Green Energy News.
Sipas dokumentacionit të projektit, ato do të zëvendësohen me deri në pesë turbina të reja, me kapacitet deri në 6 megavat secila. Kjo do të mundësojë rritjen e kapacitetit të parkut në 30 megavat, duke përdorur një numër më të vogël turbinash me fuqi dukshëm më të madhe, përcjell Energy Monitor.
Investimi përfshin edhe katër njësi baterish, me fuqi të përgjithshme deri në 10 megavat dhe kapacitet të ruajtjes prej 20 megavat-orësh. Bateritë synojnë të mundësojnë ruajtjen e energjisë kur parku prodhon me kapacitet të lartë dhe kthimin e saj në rrjet në periudhat kur prodhimi është më i ulët ose kur kushtet e tregut janë më të favorshme.
Sipas elaboratit mjedisor, qëllimi i projektit është zgjatja e jetëgjatësisë së parkut dhe vazhdimi i prodhimit të energjisë elektrike në mënyrë të sigurt dhe ekonomikisht e mjedisorisht të pranueshme.
Punimet pritet të zhvillohen në faza. Ato përfshijnë ndërtimin e themeleve të reja për turbinat, instalimin e lidhjeve elektrike dhe të infrastrukturës së komunikimit. Për secilën fazë parashihet të sigurohen lejet përkatëse të ndërtimit dhe përdorimit.
Projekti po zhvillohet nga kompania Vjetroelektrana Trtar-Krtolin, degë e grupit gjerman wpd. Detajet janë paraqitur në dokumentacionin e dorëzuar pranë Ministrisë kroate për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Tranzicionin e Gjelbër.
/Energy Monitor
/Photo: wpd



