Maqedonia e Veriut ka mbajtur ankandin e parë për Garancitë e Origjinës së energjisë elektrike, përmes të cilit u shitën 34 mijë nga 35 mijë certifikatat e ofruara për energjinë e prodhuar nga era.
Ankandi, i organizuar më 28 tetor nga Operatori Kombëtar i Tregut të Energjisë Elektrike (MEMO), u zhvillua nën emërtimin “MEMO FiT – Wind”. Çmimi mesatar i shitjes ishte 0.35 euro për certifikatë, bëri të ditur operatori.
Sipas MEMO-s, ankandi shënon vendosjen e një mekanizmi të ri për tregtimin e Garancive të Origjinës në vend. Përmes këtij sistemi, vlera e certifikatave do të përcaktohet nga oferta dhe kërkesa, duke synuar krijimin e një tregu më transparent dhe konkurrues, përcjell Energy Monitor.
Operatori vlerëson se mekanizmi i ankandeve u krijon prodhuesve të energjisë nga burimet e ripërtëritshme mundësi më të mëdha për të përfituar nga vlera mjedisore e energjisë që prodhojnë. Në të njëjtën kohë, kompanitë dhe furnizuesit do të kenë një mënyrë më transparente për t’i siguruar certifikatat që dëshmojnë origjinën e energjisë elektrike.
Garancitë e Origjinës janë instrumente që vërtetojnë se një sasi e caktuar e energjisë elektrike është prodhuar nga një burim i caktuar. Ato u mundësojnë kompanive të dëshmojnë origjinën e energjisë që konsumojnë, veçanërisht në kuadër të objektivave për dekarbonizim dhe qëndrueshmëri.
Sipas të dhënave të MEMO-s, që nga prilli i vitit 2025 në Maqedoninë e Veriut janë lëshuar më shumë se 850 mijë Garanci të Origjinës. Organizata thotë se rritja e numrit të certifikatave e bën të nevojshëm zhvillimin e mëtejshëm dhe organizimin e këtij tregu.
Ankandi është pjesë e Agjendës së Reformave të vendit, në kuadër të masave për krijimin e një sistemi të tregtimit të Garancive të Origjinës dhe përafrimin e praktikave të tregut të energjisë me standardet evropiane.
MEMO ka bërë të ditur se do të vazhdojë zhvillimin e infrastrukturës së tregut dhe mekanizmave të tregtimit, me synimin për të rritur transparencën dhe konkurrencën në tregun e energjisë së gjelbër.
Edhe Kosova ka zhvilluar mekanizmin e Garancive të Origjinës. Në dhjetor të vitit 2025, ZRRE-ja u bë anëtare me të drejta të plota e Asociacionit të Organeve Lëshuese (AIB), ndërsa në prill të vitit 2026 miratoi Rregullën për Garancitë e Origjinës.
Në shkurt të këtij viti, Balkan Green Foundation prezantoi një studim mbi rolin që këto certifikata mund të kenë në rritjen e konkurrueshmërisë së eksporteve të Kosovës.



