Home / Lajme / Tjera / Kosova dhe Banka Botërore bashkëpunojnë për zhvillimin e eko-parqeve industriale

Kosova dhe Banka Botërore bashkëpunojnë për zhvillimin e eko-parqeve industriale

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) do të nënshkruajë më 6 nëntor një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Botërore për zhvillimin e eko-parqeve industriale në Kosovë.

Sipas njoftimit të MINTI-t, projekti synon avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative për parqet industriale, duke përfshirë parimet e ekonomisë qarkore në funksionimin e tyre.

Kjo nënkupton shfrytëzim më efikas të burimeve dhe energjisë, reduktim të mbetjeve dhe emetimeve, si dhe nxitje të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve përmes shërbimeve të përbashkëta, përcjell Energy Monitor.

Projekti është pjesë e programit rajonal për Eko-Parqet Industriale, i cili zbatohet nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, në partneritet me Bashkimin Evropian dhe në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes do të mbahet më 6 nëntor 2026, në orën 11:00, në hotelin Swiss Diamond në Prishtinë.

Njoftimi i ministrisë nuk përmban hollësi për vlerën financiare të projektit, numrin e parqeve industriale që do të përfshihen apo afatet për zbatimin e tij.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com