Një projekt për ndërtimin e një korridori të ri të transmetimit të energjisë elektrike, që do të lidhë Azerbajxhanin me Hungarinë përmes Gjeorgjisë dhe Rumanisë, vlerësohet të kushtojë 14.3 miliardë euro. Përveç kësaj, parashihen edhe 7.8 miliardë euro për kapacitete të dedikuara të prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Projekti, i njohur si Korridori i Gjelbër i Energjisë, parashikon tri linja kabllore nënujore me tension 525 kilovolt (kV), secila me kapacitet prej 1.3 gigavatësh (GW). Kabllot do të kalonin nën Detin e Zi, duke lidhur Gjeorgjinë me Rumaninë, ndërsa sistemi do të vazhdonte drejt Hungarisë dhe Azerbajxhanit. Po shqyrtohet edhe mundësia e ndërtimit të një tubacioni për transportimin e hidrogjenit, ka njoftuar Balkan Green Energy News.
Green Energy Corridor Power Company (GECO), me seli në Bukuresht, është krijuar për të projektuar, financuar, ndërtuar dhe operuar sistemin e transmetimit. Ajo është në pronësi të barabartë të operatorëve AzerEnerji, Georgian State Electrosystem (GSE), Transelectrica e Rumanisë dhe kompanisë shtetërore hungareze MVM, së bashku me operatorin e transmetimit MAVIR, përcjell Energy Monitor.
Studimi i fizibilitetit, i përgatitur nga kompania italiane CESI, është përfunduar dhe miratuar. Projekti ka hyrë në fazën e zhvillimit, ndërsa GECO po kërkon investitorë dhe partnerë. Kompania synon gjithashtu që korridori të marrë statusin e Projektit me Interes të Ndërsjellë të Bashkimit Evropian.
Lidhja e parë, nga Baku deri në Albertirsa pranë Budapestit, synohet të vihet në funksion në vitin 2032. Ajo do të jetë mbi 3.000 kilometra e gjatë dhe do të përfshijë segmentin nënujor mes Anaklias në Gjeorgji dhe Konstancës në Rumani. Dy fazat e tjera, përfshirë lidhjen deri në Domnești pranë Bukureshtit, janë planifikuar për vitet 2036 dhe 2040.
Pas përfundimit të tri lidhjeve, kapaciteti i përgjithshëm i korridorit do të arrijë në 3.9 GW. Sipas studimit, infrastruktura synon të mundësojë eksportin e deri në 20 teravat-orë energji elektrike në vit drejt Bashkimit Evropian.
Hidrogjeni si komponent shtesë
Tubacioni i mundshëm i hidrogjenit nga Baku deri në Albertirsa po shqyrtohet veçmas. Variantet e analizuara parashohin kapacitet transporti nga 100.000 deri në 950.000 tonë në vit, ndërsa investimi vlerësohet në 6.6 deri në 13 miliardë euro, njofton Energy Monitor.
Kalimi i kabllove nëpër Detin e Zi paraqet një nga sfidat kryesore teknike dhe mjedisore. Studimet përfshijnë zonat bregdetare të Gjeorgjisë dhe Rumanisë, ku ndodhen habitate natyrore, zona peshkimi dhe aktivitete turistike, si dhe trashëgimi kulturore nënujore.
Për vendet e përfshira, korridori do të krijonte një rrugë të re për eksportin e energjisë nga rajoni i Kaspikut drejt tregut evropian. Megjithatë, projekti mbetet në fazën e zhvillimit dhe ende kërkon sigurimin e financimit dhe vendimet përfundimtare të investimit.



