Home / Lajme / Tjera / Bizneset e Kosovës përballen me sfida në matjen e emetimeve për CBAM-in

Bizneset e Kosovës përballen me sfida në matjen e emetimeve për CBAM-in

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë do të duhet të përshtatin mënyrën e regjistrimit të prodhimit dhe llogaritjes së emetimeve të karbonit për të ruajtur konkurrueshmërinë në tregun e Bashkimit Evropian. Kjo u theksua në një diskutim të organizuar nga GPEK në Prishtinë, ku u prezantuan gjetjet paraprake të një vlerësimi mbi ndikimin e Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit të Karbonit (CBAM) në bizneset kosovare.

Vlerësimi po realizohet nga Berlin Economics për GPEK dhe synon të identifikojë sektorët dhe ndërmarrjet më të ekspozuara ndaj kërkesave të reja të BE-së, si dhe vështirësitë që mund të ndikojnë në kostot dhe konkurrueshmërinë e tyre.

Në tryezën e mbajtur më 2 nëntor morën pjesë përfaqësues të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, odave ekonomike dhe ofrues të shërbimeve teknike që merren me matjen, raportimin dhe verifikimin e emetimeve.

Një prej shqetësimeve kryesore të ngritura ishte mungesa e kapaciteteve për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave mbi emetimet që lidhen me proceset e prodhimit. Për bizneset, kjo mund të kërkojë ndryshime në regjistrimin e prodhimit, klasifikimin e produkteve dhe mënyrën e llogaritjes së gjurmës së karbonit, përcjell Energy Monitor.

Amir Musliu, drejtor i përgjithshëm i kompanisë Elsam, tha se përgatitja për CBAM-in kërkon kohë, ekspertizë dhe burime financiare, duke paralajmëruar se këto mund të përbëjnë sfidë për ndërmarrjet në Kosovë.

Sipas tij, bizneset duhet të fillojnë sa më herët përgatitjet për të ruajtur konkurrueshmërinë në tregun evropian. Ai e konsideroi diskutimin dhe hulumtimin e prezantuar nga Berlin Economics si ndihmë për të kuptuar më mirë ndryshimet që kërkohen dhe hapat që duhet të ndërmerren.

Vlerësimi po shqyrton jo vetëm ekspozimin e drejtpërdrejtë të ndërmarrjeve ndaj CBAM-it, por edhe ndikimin e mundshëm përmes zinxhirëve të furnizimit dhe kërkesave të blerësve në Bashkimin Evropian. Në fokus janë gjithashtu kostot e prodhimit, qasja në treg, kapacitetet teknike dhe nevoja për shërbime këshilluese e financiare.

Gjetjet e diskutimit do të përdoren për të plotësuar vlerësimin, i cili pritet të shërbejë si bazë për zhvillimin e materialeve informuese dhe aktiviteteve për ngritjen e kapaciteteve të bizneseve kosovare.

CBAM-i është mekanizëm i Bashkimit Evropian që vendos një kosto të lidhur me emetimet e karbonit për importet e produkteve të caktuara, me synim që ato të trajtohen në mënyrë të krahasueshme me prodhimin brenda BE-së, ku kompanitë paguajnë për emetimet përmes sistemit të tregtimit të kuotave të karbonit, përcjell Energy Monitor.

Mekanizmi përfshin fillimisht sektorët e çimentos, hekurit dhe çelikut, aluminit, plehrave kimike, energjisë elektrike dhe hidrogjenit. Për ndërmarrjet kosovare që eksportojnë produkte në këta sektorë, dokumentimi i emetimeve të përfshira në prodhim mund të bëhet një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm për ruajtjen e qasjes në tregun evropian.

GPEK është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Helvetas.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com