Home / Lajme / Energjia e ripërtëritshme / Kosova fton kompanitë sllovene të marrin pjesë në ankandet për energjinë e ripërtëritshme

Kosova fton kompanitë sllovene të marrin pjesë në ankandet për energjinë e ripërtëritshme

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka ftuar kompanitë sllovene të marrin pjesë në ankandet e ardhshme të Kosovës për kapacitete të reja të energjisë së ripërtëritshme, gjatë një takimi me ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, në takim u diskutua zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në sektorin e energjisë. Rizvanolli e informoi ambasadorin për zhvillimet në këtë sektor dhe për ankandet që janë duke u zhvilluar për kapacitete të reja të energjisë së ripërtëritshme, përcjell Energy Monitor.

Ministrja theksoi se Kosova po krijon mundësi të reja investimi në energjinë e pastër dhe se përvoja dhe ekspertiza e kompanive sllovene do të ishin të mirëpritura në këto procese.

Aktualisht, ofertat për ankandin e parë të erës, me kapacitet të synuar prej 50 deri në 100 megavatësh, janë në fazën e vlerësimit. Në garë kanë marrë pjesë tri kompani dhe konsorciume të kualifikuara.

Rizvanolli ka bërë të ditur më herët se ankandi i ardhshëm për energjinë e ripërtëritshme pritet të shpallet para fundit të vitit.

Në takim u diskutua edhe organizimi i edicionit të dytë të “Slovenia-Kosovo Business Day”, që pritet të mbahet në fund të nëntorit në Kosovë. Ngjarja synon të sjellë përfaqësues të kompanive sllovene dhe të krijojë mundësi për partneritete në bujqësi, teknologji të informacionit dhe komunikimit, tregti, mjekësi dhe energji, transmeton Energy Monitor.

Ambasadori Blaj rikonfirmoi përkushtimin e Sllovenisë për forcimin e bashkëpunimit me Kosovën, ndërsa në takim u vlerësuan marrëdhëniet tregtare dhe mundësitë për zgjerimin e tyre në sektorë të tjerë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com