Home / Lajme / Rajoni / Nëntë elektricistë humbën jetën në Shqipëri gjatë vitit 2026, ngrihen shqetësime për sigurinë në punë

Nëntë elektricistë humbën jetën në Shqipëri gjatë vitit 2026, ngrihen shqetësime për sigurinë në punë

Nëntë elektricistë kanë humbur jetën në Shqipëri gjatë vitit 2026, në aksidente të ndodhura gjatë punimeve në rrjetin elektrik, riparimit të defekteve dhe ndërhyrjeve në instalime. Bilanci, i publikuar nga mediat shqiptare, ngre shqetësime për kushtet e punës dhe masat e sigurisë për punonjësit që mirëmbajnë infrastrukturën energjetike.

Viktima e fundit ishte Altin Petanaj, 45-vjeçar, i cili humbi jetën më 6 nëntor në fshatin Kocul të Vlorës, pasi ra në kontakt me rrymën elektrike gjatë punimeve në një nënstacion. Një ditë më parë, Lulzim Shehu vdiq pasi u zu poshtë nga një shtyllë elektrike në fshatin Vasije të Kalasë së Dodës.

Në mesin e viktimave të këtij viti janë edhe Klajdi Zekthi, Ermal Dëbrova dhe Muhamet Sylisufaj, të cilët humbën jetën gjatë ndërhyrjeve në rrjetin elektrik në muajin shtator. Gjatë verës, aksidente fatale u regjistruan edhe në Vaut të Dejës, Pogradec dhe Himarë. Viktima e parë e vitit ishte Mark Prenga, i cili vdiq në shkurt gjatë riparimit të një defekti në një shtyllë elektrike në Lezhë.

Rastet kanë rikthyer pikëpyetjet për pajisjet mbrojtëse, trajnimet, kontrollin teknik dhe zbatimin e procedurave të sigurisë gjatë punimeve në terren.

Sipas raportimit të “Shekullit”, OSHEE-së i ishte kërkuar që në shtator informacion për masat parandaluese, kontrollet dhe trajnimet e punonjësve, por deri në publikimin e artikullit nuk kishte kthyer përgjigje.

Siguria e punonjësve që mirëmbajnë rrjetin elektrik mbetet një çështje thelbësore për sektorin, veçanërisht gjatë ndërhyrjeve emergjente dhe punimeve në kushte të vështira.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com