Rreth 35 deri në 40 për qind e mbetjeve që përfundojnë në deponitë e Kosovës janë organike, ndërsa shfrytëzimi i tyre mund të krijojë mundësi për prodhimin e biogazit, plehut organik dhe energjisë së ripërtëritshme. Këto janë disa nga gjetjet e një studimi të prezantuar nga GIZ Kosova, i cili analizon potencialin e valorizimit të mbetjeve organike në industrinë ushqimore.
Studimi u prezantua nga konsulenti i angazhuar nga GIZ Kosova, Kushtrim Zebica, gjatë edicionit të gjashtë të Food Sector Forum 2026, të organizuar nga Shoqata e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës (PePeKo).
Sipas Zebicës, rreth 70 për qind e emetimeve të metanit nga mbeturinat vijnë nga deponitë, duke e bërë trajtimin e mbetjeve organike një çështje të rëndësishme si për mbrojtjen e klimës, ashtu edhe për zhvillimin e ekonomisë qarkore, përcjell Energy Monitor.
Ai theksoi se mbetjet organike nuk duhet të trajtohen vetëm si material për t’u larguar nga fabrikat dhe për t’u dërguar në deponi, por si një resurs që mund të shfrytëzohet për prodhimin e energjisë dhe plehut.
“Rreth 35 deri në 40% e mbetjeve të cilat ekzistojnë në deponitë e Kosovës janë mbetje organike dhe, natyrisht, është një resurs i cili meriton një trajtim të veçantë për ta valorizuar në funksion të bizneseve. Rreth 70% e emetimeve të metanit nga mbeturinat janë metan i deponive”, tha Zebica.
Sipas tij, përpunimi i këtyre mbetjeve mund të sjellë përfitime në tri drejtime kryesore: zvogëlimin e sasisë së mbeturinave që përfundojnë në deponi, uljen e emetimeve të metanit dhe prodhimin e energjisë për nevojat e industrisë.
Biogazi i prodhuar nga mbetjet organike mund të përdoret për ngrohje në proceset industriale ose të shndërrohet në energji elektrike. Kjo do t’u mundësonte ndërmarrjeve të përpunimit të ushqimit të ulnin kostot operative dhe të rrisnin pavarësinë energjetike.
Zebica vlerësoi se potenciali është veçanërisht i rëndësishëm për bizneset që gjenerojnë sasi të mëdha mbetjesh organike gjatë proceseve të prodhimit, pasi këto mbetje mund të rikthehen në ciklin ekonomik në vend që të përfundojnë në deponi.
Industria ushqimore synon rritjen e produktivitetit
Në të njëjtin forum, Blerim Murtezi, udhëheqës i Programit të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) për Kosovë, prezantoi një program që synon përmirësimin e produktivitetit, kushteve të punës dhe konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve.
Programi bazohet në modelin e sistemit të prodhimit të Toyota-s dhe synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet menaxherëve dhe punëtorëve, përmirësimin e cilësisë së produkteve dhe rritjen e sigurisë në vendin e punës.
Sipas Murtezit, rezultatet e ndërhyrjeve në kompani kanë treguar potencial për rritje të produktivitetit deri në 50 për qind, ulje të produkteve me defekte deri në 64 për qind dhe zvogëlim të mbetjeve deri në 48 për qind. Në aspektin e sigurisë dhe kushteve të punës, janë evidentuar edhe ulje të aksidenteve deri në 29 për qind.
Aktualisht, në program janë përfshirë tetë kompani me më shumë se 25 punëtorë, prej të cilave katër operojnë në sektorin e përpunimit të ushqimit. Për vitin e ardhshëm synohet përfshirja e edhe 12 kompanive, ndërsa kriteri minimal i punësimit pritet të ulet nga 25 në mbi 10 punëtorë.
Në përfundim të Food Sector Forum 2026 janë organizuar edhe takime ndërmjet bizneseve pjesëmarrëse, me synim krijimin e kontakteve dhe mundësive të reja për bashkëpunim.



