Çmimet e prodhimit në Kosovë u rritën në tremujorin e tretë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja më e madhe u regjistrua në sektorin e ujit, ndërsa energjia elektrike u shtrenjtua me 7,3 për qind.
Çmimet e prodhimit në Kosovë janë rritur për 5,9 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Indeksi i Çmimeve të Prodhimit ka shënuar rritje prej 1,2 për qind edhe në krahasim me tremujorin e dytë të këtij viti.
Në nivel vjetor, rritja më e madhe është regjistruar në sektorin e grumbullimit, trajtimit dhe furnizimit me ujë, ku çmimet janë rritur për 32,2 për qind. Pasojnë prodhimet e tjera të paklasifikuara me 26,1 për qind, prodhimi i pijeve me 20,1 për qind, prodhimi i letrës dhe produkteve prej saj me 15,5 për qind dhe nxjerrja e xehes së metalit me 11,4 për qind.

Në sektorin e energjisë elektrike, gazit, avullit dhe furnizimit me ajër të kondicionuar, çmimet e prodhimit janë rritur për 7,3 për qind. Rritje është regjistruar edhe në përpunimin e produkteve ushqimore, me 4,2 për qind, si dhe në prodhimin e produkteve të gomës dhe plastikës, me 4,4 për qind.
Shtrenjtim është evidentuar edhe në prodhimin e metaleve, me 3,6 për qind, dhe të mobilieve, me 3,1 për qind.
Në anën tjetër, ulja më e madhe vjetore e çmimeve është regjistruar në prodhimin e veshjeve, me 6 për qind, pasuar nga prodhimi i mjeteve motorike, rimorkiove dhe gjysmërimorkiove, me 3,6 për qind.
Krahasuar me tremujorin paraprak, çmimet në sektorin e energjisë elektrike, gazit, avullit dhe furnizimit me ajër të kondicionuar janë rritur për 4,9 për qind, ndërsa në përpunimin e produkteve ushqimore për 1 për qind.
Sipas ASK-së, Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në tremujorin e tretë të vitit 2026 ka arritur në 126,8 pikë. Kjo nënkupton se çmimet e prodhimit janë 26,8 për qind më të larta krahasuar me mesataren e vitit 2021.



