Propozim-Rezoluta që trajtonte planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë nuk mori mbështetjen e shumicës së deputetëve. Për të votuan 27 deputetë, ndërsa 51 ishin kundër.
Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar Propozim-Rezolutën nga mocioni përmbajtësor për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në vend.
Në votimin e mbajtur të enjten, 51 deputetë votuan kundër, ndërsa 27 e mbështetën rezolutën. Asnjë deputet nuk abstenoi.
Rezoluta ishte propozuar pas debatit parlamentar për gjendjen në sektorin energjetik, të iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Gjatë diskutimeve, deputetët e opozitës kishin kritikuar Qeverinë për mungesën e kapaciteteve të reja prodhuese, varësinë nga importi dhe vonesat në investimet energjetike, përcjell Energy Monitor.
Në seancën e së enjtes nuk pati diskutim të ri për këtë çështje, pasi debati ishte zhvilluar në seancën paraprake. Deputetët kaluan drejtpërdrejt në votimin e propozimit.
Mosmiratimi i rezolutës vjen disa ditë pasi Kuvendi kishte miratuar vendimin e Qeverisë për shpalljen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike.
Këto masa, të cilat janë paraparë të zgjasin 60 ditë, përfshijnë shfrytëzimin e kapaciteteve të hidrocentralit të Ujmanit për furnizimin e konsumatorëve dhe themelimin e një Komiteti Teknik Emergjent.



