Fatmir Çollaku ka vlerësuar se Qeveria e Albin Kurtit nuk duhet të fajësohet për krizën energjetike dhe çmimet e naftës, duke argumentuar se këto probleme ndikohen nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe situata gjeopolitike, veçanërisht në Lindjen e Mesme.
Duke folur në emisionin “Këndi i Debatit” në Tevë1, Çollaku ka thënë se për këto çështje ka pak hapësirë për të kritikuar qeverinë, pasi, sipas tij, bëhet fjalë për zhvillime me ndikim global.
“Te problemi i energjetikës dhe te problemi i naftës nuk mendoj se kemi shumë hapësirë ta kritikojmë Qeverinë Kurti, për faktin se bëhet fjalë për një problem gjithëbotëror. Çmimi i naftës në tregun e hapur dhe të lirë lëviz varësisht nga zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe ndryshimet e tjera që ndodhin atje”, ka deklaruar ai.
Çollaku ka thënë se vlerësimi i qeverisjes duhet të përqendrohet më shumë te fushat ku ekzekutivi ka pasur mundësi të ndikojë drejtpërdrejt, veçanërisht te investimet kapitale dhe projektet e mëdha infrastrukturore.
Sipas tij, për disa prej këtyre projekteve janë ndarë mjete financiare, por zbatimi ka mbetur prapa ose nuk ka shënuar progres të mjaftueshëm.
Ai ka përmendur si të arritur të qeverisë edhe shtrirjen e juridiksionit dhe praninë institucionale të Kosovës në pjesën veriore të vendit.



