Home / Lajme / Rajoni / Miliona euro nga BE për krizën energjetike në Maqedoninë e Veriut, ende pa transparencë për mënyrën e shpenzimit

Miliona euro nga BE për krizën energjetike në Maqedoninë e Veriut, ende pa transparencë për mënyrën e shpenzimit

Bashkimi Evropian kishte ndarë 72 milionë euro për Maqedoninë e Veriut gjatë krizës energjetike, me qëllim ndihmën direkte për qytetarët – por publiku ende nuk e di se ku saktësisht përfunduan këto mjete.

Sipas një hulumtimi të publikuar nga rrjeti qytetar “Bankwatch”, një pjesë e këtyre fondeve përfundoi te kompania shtetërore EMV, në vend që të shkonin drejt subvencionimit të drejtpërdrejtë të familjeve në nevojë.

Kjo ndihmë ishte pjesë e Planit Vjetor të Veprimit për Energjinë, i nënshkruar në fillim të vitit 2023, në kuadër të paketës një miliard eurosh që BE kishte vënë në dispozicion për vendet e Ballkanit Perëndimor. Synimi ishte i qartë: lehtësimi i barrës financiare për qytetarët, përmes subvencioneve të përqendruara në faturat e energjisë elektrike, me fokus te kategoritë e cenueshme.

Megjithatë, raporti i Bankwatch ngre pikëpyetje serioze. Edhe pse në faturat mujore përmendeshin subvencione deri në 90 përqind, çmimi final për konsumatorët mbeti i pandryshuar dhe i bazuar në tarifat e përcaktuara nga Komisioni Rregullator për Energji (KRRE). Hulumtimi thekson se qytetarët nuk përfituan drejtpërdrejt nga ndihma, ndërkohë që qeveria e atëhershme e LSDM-së dhe BDI-së përdori mjete të konsiderueshme për të mbështetur kompaninë shtetërore prodhuese të energjisë.

Kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski, sqaroi për Radio Evropa e Lirë se faturat në fakt nuk paraqisnin zbritje reale në çmim, por një krahasim me çmimet e tregut të lirë në bursat ndërkombëtare, të cilat ishin shumë më të larta në atë periudhë.

Ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke mbrojtur qasjen e ndjekur, tha se këto tabela kishin qëllim informues dhe ishin mënyrë për të reflektuar mbështetjen që shteti po jepte për gjithë tregun e rregulluar. Sipas tij, pa këtë ndërhyrje, qytetarët do të paguanin çmime të ngjashme me ato të bursave evropiane, deri në 500 euro për megavat-orë.

Pavarësisht këtyre sqarimeve, raporti i Bankwatch rikthen në vëmendje mungesën e transparencës në menaxhimin e fondeve evropiane dhe nevojën për llogaridhënie të qartë për mënyrën si janë përdorur paratë publike në një nga momentet më të ndjeshme për konsumatorët në Ballkanin Perëndimor.