Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka paraqitur ankesë në shkallën e dytë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Komerciale në Shkallën e Parë, e cila kishte pezulluar vendimin e ZRrE-së për kalimin në treg të lirë të energjisë për bizneset.
Vendimi i shkallës së parë ka pezulluar përkohësisht procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike për të gjitha bizneset, ndërsa apeli po shqyrton ankesën e ZRrE-së. Sipas burimeve, brenda pak ditësh pritet vendimi nëse masa pezulluese do të konfirmohet apo do të rrëzohet deri në një vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje.
Nëse masa pezulluese do të refuzohet dhe vendimi i ZRrE-së mbetet në fuqi, bizneset në Kosovë do të përballen me sfida të mëdha, pasi do të duhet të kalojnë menjëherë në tregun e lirë të energjisë, i cili aktualisht nuk është i favorshëm për to. Në muajin qershor, çmimet e energjisë nga furnizuesit në tregun e lirë ishin rreth dyfish më të larta sesa ato në tregun e rregulluar.
Masa pezulluese nuk ka për qëllim të ndalojë liberalizimin e tregut, por synon të sigurojë një tranzicion të drejtë, duke respektuar parimet e proporcionalitetit dhe mbrojtjes së konsumatorit. Refuzimi i kësaj mase do të vendoste bizneset në një pozitë të pabarabartë në raport me konsumatorët më të mëdhenj dhe mund të dëmtonte konkurrencën, duke rrezikuar edhe falimentimin e disa prej tyre.
Bizneset kanë theksuar se kalimi i menjëhershëm dhe pa masa mbrojtëse në tregun e lirë, pa kohë të mjaftueshme për përgatitje, do të cenonte sigurinë energjetike dhe barazinë në treg.
Deri tani, Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka dhënë detaje lidhur me vendimin e gjykatës, ndërsa ka munguar edhe një sqarim zyrtar në mediat për veprimet pas pezullimit.
Vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë hyri në fuqi më 1 qershor, duke kërkuar që kompanitë me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro të kalonin në tregun e hapur të energjisë. Për kompanitë që nuk kishin arritur të lidhnin kontrata me furnizuesit në kohë, u ishte dhënë mundësia të furnizoheshin përkohësisht nga KEK-u, deri në maksimum 60 ditë, periudhë që skadoi më 31 korrik.
Para një jave, Gjykata Komerciale kishte vendosur pezullimin e këtij vendimi deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.