Korporata e Ruajtjes së Energjisë (KRE), ndërmarrje publike në pronësi të plotë të Kosovës, ka mbajtur mbledhjen e parë konstituive të Bordit të Drejtorëve, duke shënuar një hap drejt funksionalizimit të institucionit që do të menaxhojë një pjesë të investimit të Kosovës në sistemet e ruajtjes së energjisë me bateri.
Kryeministri Albin Kurti, i cili mori pjesë në mbledhje, tha se KRE-së i është besuar një funksion që deri më tani i ka munguar sistemit energjetik të vendit. “Kemi KEK-un dhe Ibër-Lepencin që prodhojnë energji elektrike. Kemi KOSTT-in që e transmeton atë. Tani kemi edhe Korporatën e Ruajtjes së Energjisë, KRE-në, që do ta ruajë energjinë për orët kur na duhet më së shumti”, tha Kurti.
Sipas tij, ruajtja e energjisë gjatë periudhave me tepricë dhe kthimi i saj në rrjet kur rritet kërkesa do të ndihmojnë në balancimin e sistemit dhe në uljen e nevojës për importe gjatë orëve të pikut.
KRE do të menaxhojë dhe operojë sistemin e baterive me fuqi prej 125 MW dhe kapacitet ruajtës prej 250 MWh në Bellopojë të Istogut. Sistemi tjetër, me fuqi prej 45 MW dhe kapacitet ruajtës prej 90 MWh në Sojevë të Ferizajt, do të operohet nga KOSTT. Së bashku, të dy sistemet do të ofrojnë 340 MWh kapacitet ruajtës në pronësi publike.
Investimi është pjesë e Marrëveshjes Kompakt ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Vlera e përgjithshme arrin në 236,7 milionë dollarë, prej të cilave 202 milionë janë grant nga MCC-ja dhe 34,7 milionë dollarë kontribut i Qeverisë së Kosovës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se funksionalizimi i KRE-së kërkon përgatitje si për operimin dhe mirëmbajtjen e baterive, ashtu edhe për analizën dhe parashikimin e tregut të energjisë, në mënyrë që përdorimi i tyre të optimizohet. Ndërkaq, drejtori rezident i MCC-së në Kosovë, Rinor Gjonbalaj, tha se fokusi i radhës duhet të jetë krijimi i një ndërmarrjeje profesionale dhe financiarisht të qëndrueshme.
MCA-Kosova do të mbështesë funksionalizimin e korporatës përmes rekrutimit të stafit, asistencës teknike dhe mbështetjes operacionale. KRE u themelua nga Qeveria e Kosovës më 13 mars 2024, ndërsa ndërtimi dhe vënia në punë e sistemeve të baterive janë pjesë e zbatimit të programit Kompakt.



