Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me zëvendësguvernatoren Shileku-Shala dhe bashkëpunëtorët e tij, ka zhvilluar një takim njoftues me drejtoreshën e re të Bankës Botërore (BB) për Kosovë, Carole Megevand me bashkëpunëtorë.
Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e uroi Megevand për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në avancimin e projekteve dhe reformave të Bankës Botërore në funksion të mbështetjes së ekonomisë së Kosovës.
Guvernatori Ismaili e informoi Megevand për zhvillimet më të fundit të sektorit financiar, si dhe për progresin e reformave të ndërmarra nga BQK-ja për të nxitur rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe forcimin e sistemit financiar.
Diskutimet u fokusuan në zhvillimet aktuale në sektorin financiar, bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet BQK-së dhe Bankës Botërore, si dhe programet e reja të BB-së për fuqizimin e sektorit financiar, duke përfshirë asistencat teknike përkatëse të dedikuara për BQK-në.
Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për arritjen e objektivave strategjike të BQK-së, veçanërisht në fushat e reformave ligjore dhe rregullative, digjitalizimit, kapitalizimit të sektorit financiar, rritjes së qëndrueshmërisë financiare, anëtarësimit në SEPA dhe zbatimit të agjendës së gjelbër.
Në këtë kuadër, Megevand vuri në dukje progresin e bërë drejt harmonizimit të kornizës ligjore e rregullative me standardet e Bashkimit Evropian nga ana e Kosovës, derisa Guvernatori e informoi për përgatitjet si dhe sfidat aktuale për procesin e aplikimit për anëtarësim në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).
Guvernatori Ismaili theksoi rolin e rëndësishëm të projektit rajonal të Bankës Botërore për modernizimin e sistemit të pagesave, përkatësisht zhvillimin e pagesave të shpejta (Instant Payments) përmes Bankës Qendrore të Italisë dhe lidhjen e tyre me sistemet e pagesave të Bashkimit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane pas anëtarësimit në SEPA.
Të dyja palët riafirmuan angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë, duke vlerësuar rezultatet e deritanishme të projekteve të përbashkëta.