TEB dhe FKGK hapin instrument të ri për financimin e investimeve të gjelbra
October 8, 2026
Banka TEB dhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për zbatimin e instrumentit “Depozita e Gjelbër”, përmes të cilit synohet të orientohen më shumë financime drejt investimeve të gjelbra të bizneseve në Kosovë.
Përmes këtij instrumenti, FKGK do të vendosë depozita në institucionet financiare partnere, duke krijuar mundësi për financim të investimeve që përmirësojnë efikasitetin, qëndrueshmërinë dhe ndikimin mjedisor të bizneseve.
Bashkëpunimi me TEB është pjesë e përpjekjeve për të rritur qasjen e ndërmarrjeve në financim për investime të gjelbra, në një kohë kur bizneset në Kosovë po përballen me nevojën për të investuar në teknologji më efikase dhe për t’iu përshtatur kërkesave të reja të tregjeve.
Financimi i gjelbër për ndërmarrjet
“Depozita e Gjelbër” është një nga instrumentet përmes të cilave FKGK synon të përdorë kapacitetin e tij financiar për të nxitur kreditimin e investimeve të gjelbra përmes institucioneve partnere.
Investimet e tilla mund të përfshijnë përmirësimin e efiçiencës së energjisë, përdorimin më efikas të burimeve dhe teknologji që ulin ndikimin mjedisor të aktiviteteve të bizneseve, përcjell Energy Monitor.
Marrëveshja me TEB vjen në kuadër të projektit “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë” (GPEK), i cili synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në tranzicionin drejt modeleve më të qëndrueshme të biznesit.
GPEK është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Helvetas.
Financimi mbetet një nga çështjet kryesore për përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër të sektorit privat. Një analizë e fundit e GAP Institute, e publikuar nga Energy Monitor, tregoi se aktivitetet e energjisë, gazit dhe ujit përbënin vetëm 1.1 për qind të portofolit të kredive të bankave komerciale në Kosovë në prill 2026.