Home / Lajme / Kosova / Korrik 2025: 31% më shumë prodhim nga era dhe dielli, konsumi bie për 16.87%

Korrik 2025: 31% më shumë prodhim nga era dhe dielli, konsumi bie për 16.87%

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Energjisë” për muajin korrik 2025, me të dhëna për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë elektrike, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.

Në korrik 2025, në Kosovë është prodhuar 30.87% më shumë energji elektrike nga burimet e erës dhe diellit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Vitin e kaluar këto burime kishin prodhuar 19,774 MWh, ndërsa këtë vit 25,877 MWh energji elektrike.

Për dallim nga burimet e ripërtëritshme, prodhimi nga termocentralet ka rënë për 14.4%, ndërsa nga hidrocentralet për 23.48%.

Në korrik 2024, termocentralet kishin prodhuar 446,190 MWh, ndërsa këtë korrik 381,930 MWh energji elektrike.

Rritje ka shënuar edhe importi dhe eksporti i energjisë elektrike. Importi në korrik 2025 ishte 337.64 GWh, rreth 59.14% më i lartë se vitin e kaluar, kurse eksporti ishte 244.16 GWh, rreth 41.59% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Prodhimi i thëngjillit për korrik 2025 ishte rreth 380.48 mijë ton, që paraqet një rënie prej -39.77% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Ndërkohë, konsumi i energjisë elektrike ka rënë për -16.87% nga korrik 2024 në korrik 2025.