Home / Lajme / Ndërkombëtare / BE miraton 7,9 miliardë euro subvencione për bioenergjinë në Gjermani

BE miraton 7,9 miliardë euro subvencione për bioenergjinë në Gjermani

Komisioni Evropian miratoi një shtesë prej 7.9 miliardë eurosh si ndihmë shtetërore gjermane për energjinë nga biomasa dhe biogazi.

Këto subvencione shtesë do të rrisin buxhetin e një skeme të nisur vite më parë në Gjermani për zgjerimin e prodhimit të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, njoftoi Komisioni.

Ministri gjerman i Bujqësisë, Alois Rainer, e përshkroi vendimin si “një hap vendimtar drejt krijimit të sigurisë së planifikimit për fermerët, investitorët, operatorët dhe autoritetet lokale”.

Sipas tij, biogazi ka një rol të pazëvendësueshëm në furnizimin me energji.

Komisioni vlerësoi nëse ndihma shtetërore do të sillte shtrembërime në tregun evropian dhe përfundoi se ndryshimet janë “të nevojshme dhe të përshtatshme” për rritjen e prodhimit të energjisë nga biomasa dhe biogazi.

“Ndihma do të kufizohet në minimumin e nevojshëm për të nxitur prodhimin e energjisë edhe në periudha me çmime të larta të energjisë, ndërkohë që ndikimi mbi konkurrencën dhe tregtinë në BE do të mbetet i kufizuar”, theksoi KE.