Operatori i Sistemit të Transmetimit të Maqedonisë së Veriut, MEPSO, ka vendosur të nisë procedura arbitrazhi ndërkombëtar kundër kompanisë boshnjake Energoinvest për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me ndërtimin e linjës së interkoneksionit 400 kilovolt me Shqipërinë.
Sipas raportimeve të mediave lokale, MEPSO pretendon se Energoinvest nuk i ka përmbushur detyrimet kontraktuale dhe ka lënë të papërfunduara punimet në terren, ndërsa më pas ka kërkuar pagesa shtesë që tejkalonin vlerën fillestare të kontratës. Këto kërkesa janë refuzuar nga operatori maqedonas.
MEPSO synon të kërkojë dëmshpërblim prej rreth 19 milionë eurosh. Sipas kompanisë, deri në afatin e paraparë janë ndërtuar vetëm 24 nga 269 themelet e planifikuara për shtyllat e linjës, që përfaqëson më pak se 10% të punimeve të parapara.
Kontrata me vlerë 17.2 milionë euro ishte nënshkruar në shkurt të vitit 2020 dhe parashihte përfundimin e projektit brenda 30 muajve, respektivisht deri në maj të vitit 2023. Megjithatë, projekti u përball me vonesa të shumta dhe kontrata u ndërpre zyrtarisht në dhjetor 2024.
Para se çështja të dërgohej në arbitrazh ndërkombëtar, palët kishin kaluar në një procedurë paraprake për zgjidhjen e kontestit, ku vendimi kishte shkuar në favor të Energoinvestit, duke e obliguar MEPSO-n të paguante rreth 6 milionë euro si kompensim për ndërprerjen e njëanshme të kontratës.
Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka përzgjedhur një kontraktor të ri për realizimin e projektit. Në fund të vitit 2025, MEPSO nënshkroi një kontratë prej 19.7 milionë eurosh me një konsorcium të udhëhequr nga kompania kroate Dalekovod për të vazhduar ndërtimin e linjës.
Interkoneksioni 400 kV ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë konsiderohet projekt strategjik për forcimin e lidhjeve rajonale të transmetimit, rritjen e sigurisë energjetike dhe integrimin më të thellë të tregjeve të energjisë elektrike në Ballkanin Perëndimor.



