Home / Lajme / Energjia konvencionale / Të rindërtohet tërësisht apo të mbyllet termocentrali Kosova A

Të rindërtohet tërësisht apo të mbyllet termocentrali Kosova A

Arsyet pse duhet mbijetuar termocentrali Kosova A, duke u rindërtuar ato tërësisht dhe arsyet pse duhet mbyllur ky termocentral, sipas inxhinierëve dhe dhe ekspertëve të angazhuar sidomos në KEK, por edhe të njohësve të zhvillimeve elektroenergjetike në Kosovë.

Termocentrali Kosova A duhet ose të mbyllet fare, ose të rindërtohet. S’ka asnjë alternativë tjetër. Kjo është përgjigjja e prerë e inxhinierëve dhe ekspertëve të angazhuar sidomos në KEK, por edhe të njohësve të zhvillimeve elektroenergjetike në Kosovë dhe për këto pikëpamje ka raportuar gjerësisht dhe disa herë deri më tash Buletini Ekonomik.

Megjithkëtë, praktikisht, ende sado që kanë kaluar mbi 26 vjet qëkur është çliruar Kosova, “fati” i mëtejshëm i këtij kapaciteti elektroenergjetik të stërvjetruar tashmë nuk është i qartësuar tërësisht. Termocentrali Kosova A, mbetët goxha i rrezikshëm për 700 punëtorët e angazhuar aty, por akoma tepër i nevojshëm për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të vendit dhe për përmbushjen e mbi një të tretës së nevojave të konsumit kosovar për rrymë.

Dihet, Kosova A, tri blloqet (A3, A4 dhe A5), edhe kështu si janë, në një gjendje të mjerueshme nga vjetërsia e tyre dhe larg çdo standardi sipas ligjeve në fuqi për prodhimin e energjisë nga termocentralet, janë më se të nevojshme për KEK-un dhe mbarë Kosovën për të kompenzuar mungesat e rrymës dhe për të mos u futur në qorrsokak, që pastaj vështirë t’i dilet mbanë nga importi me çmime stratosferike të rrymës.

Sepse Kosova A akoma prodhon 35 për qind të energjië elektrike të vendit. Dhe kjo sasi është kolosale, si për prodhim është edhe për nga vlera financare, kur dihet gjendja teknike e saj dhe kur gjithnjë e më shumë kudo në botë po shpërfaqen përmasat dhe pasojat e frikshme të krizës energjetike që Kosovës po i troket te dera.

Por ekspertët numërojnë edhe arsyet pse duhet mbyllur ky termocentral.

Sipas tyre, termocentralet Kosova A nuk e plotësojnë asnjë normë apo standard sipas ligjeve në fuqi për prodhimin e rrymës nga termocentralet. Ka teknologji të stërvjetëruar dhe të amortizuar. Përbënë rrezik real për punonjësit dhe komunitetin përreth vazhdimi i mëtejshëm i operimit me këtë gjendje aktuale, kur siguria dhe disponueshmëria është në nivelin më të ulët të mundshëm. Njësitë A3, A4 dhe A5 të Kosovës A janë vënë në funksion më 1970, 1974 dhe 1975.

Ndërsa për pasojë të stërvjetërsisë së termocentraleve të Kosovës (tashmë është e vjetëruar edhe Kosova B, e ndërtuar në vitet e tetëdhjeta), gjatë vitit 2024,sipas të dhënave zyrtare, gjithsej 45 herë ishte ndalur prodhimi në pesë njësitë e termocentraleve Kosova A dhe B, ose një mesatare prej pak më shumë se 8 ditë për një ndalesë. Prej tyre 18 ishin ndalesa të paplanifikuara dhe 14 rënie blloqesh, gjithsej 32 sish ose 71% e totalit të ndalesave.

Bazuar në raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji, mesatarisht çdo 11.4 ditë pati ndalesa pa plan ose rënie të ndonjë blloku. Megjithëkëtë, duhet potencuar se Kosova A viteve të fundit ka performuar mirë, por gjithmonë duke bartur pasiguri të lartë operimi. Dhe, para se të vendoset eventualisht për opsionin e mbylljes, doemos duhet të mendohet se çka do të bëhet me 700 punëtorët e A-së. Së fundi, mbyllja do të kishte ndikim shumë të disfavorshëm edhe në të gjithë fushëveprimtarinë e KEK-ut.

Ekspertët, prandaj, mendojnë se mbyllja nuk është opsioni më i mirë, sidomos në rrethanat e tanishme kur po shihen ecuritë energjetike kudo në Evropë, dhe kur kihet parasysh kanosja e rrezikut e mungesës së energjisë edhe te ne, sidomos gjatë sezonit dimëror, kur rëndom rritet drastikisht shpenzimi i energjisë elektrike në vend dhe kur konsumi jonë do të krijonte varshmëri reale nga importi me çmime stratosferike.

Mbylljen e tërësishme të Kosovës A, më në fund nuk e shohin si zgjidhe edhe autoritetet e vendit. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, dikasterit më përgjegjës dhe më kompetent për zhvillimin energjetik të vendit, Artane Rizvanolli, gjatë vitit të kaluar, por dhe sivjet ka parashikuar rehabilitimin e thellë për rritjen e besueshmërisë, kapacitetit dhe jetëgjatësisë të njërit bllok të Kosovës A, më saktësisht të bllokut A3. Ky parashikim tashmë ka figuruar edhe në disa dokumente zhvillimore të sektorit energjetik, por deri tash, asgjë konkrete nuk është bërë. Nuk ka filluar asnjë aktivitet për rehabilitimin e tërësishëm të A3-shit, dhe as që dihet se kur do të fillojë rindërtimi I këtij blloku, meqenëse tash e sa muaj është heshtur fare nga zyrtarët kjo çështje.

Me fjalë të tjera, më kot brenda KEK-ut, por edhe në qarqet ekonomiko-zhvillimore të vendit vlerësojnë që rindërtimi, ndërtimi rrënjësor dhe qind për qind sipas kritereve dhe standardeve të BE-së për një prodhues të rrymës nga qymyri, është opsioni më i mirë i mundshëm deri më 2050, kur siç është paraparë dhe është përcaktuar me norma ligjore, nuk do të ketë më karbon, pasi që pas këtij viti, siç është përcaktuar nga asociacionet kompetente evropiane, nuk do të ketë më termocentrale me qymyr, naftë, gazë etj. Pas 2050-ës, sipas BE-së, do të dominojë energjia e rinovueshme. Në fund, sado që siç po shihet, mbetet thuaja si alternativë e domosdoshme qymyri, së paku deri më 2050, si burim kryesor energjetik te ne (rreth 94 për qind e prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë, sot e kësaj dite është nga qymyri), nuk ka vendime të prera zyrtare rreth çështjes. Ndërkohë, politika evropiane, ato të asocacioneve kompetente dhe vendimmarrëse janë shumë të egra, të ashpra dhe kjo doemos na vë në pozitë të disfavorshme karshi synimeve zhvillimore për të pasur edhe ne energji të mjaftueshme.

Alternativë e domosdoshme, e zorit, pra mbetet rindërtimi I Kosovës A, qoftë edhe I jë blloku të vetëm, ose I tre blloqeve (A3, A4 dhe A5) që ende janë në funksion dhe duke prodhuar, madje 35 për qind të energjisë elektrike të Kosovës. Ndërsa, për këtë, por edhe për alternativën e mbylljes eventuale të termocentraleve Kosova A, kërkohet të ketë vendosmëri, guxim dhe shkathtësi profesionale. Tani përt tani, duke parë hamendësime të tepruara rreth këtij problemi, sikur Kosovës I mungojnë edhe guximi, edhe vendosmëria për të vendosur definitivisht a duhet rindërtuar Kosova A, a duhet bërë rehabilitimi I thellë për rritjen e besueshmërisë, kapacitetit dhe jetëgjatësisë të blloqeve të termocentraleve Kosova A, apo duhet vazhduar kështu, me maksimën “ngre e mos këputë”, siç po ndoshë tash e sa vite./Buletini Ekonomik