Home / Lajme / Rajoni / Nga janari deri në maj në Shqipëri u regjistruan gati 5 mijë automjete të reja elektrike, 200% më shumë se në vitin paraprak

Nga janari deri në maj në Shqipëri u regjistruan gati 5 mijë automjete të reja elektrike, 200% më shumë se në vitin paraprak

Shqipëria po shënon rritje të shpejtë të numrit të automjeteve elektrike, me afro 5 mijë mjete të reja plotësisht elektrike të regjistruara gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), nga janari deri në maj u regjistruan për herë të parë 4,939 automjete “All-Electric”, ose 197% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Automjetet elektrike përbënin 45.7% të të gjitha mjeteve me kilometra zero të regjistruara gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar një rritje të konsiderueshme të interesimit për teknologjitë me emetime të ulëta. Sipas DPSHTRR-së, përdorimi i këtyre mjeteve ka kontribuar në uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit me mbi 6.5 milionë kilogramë në vit.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se 82.7% e automjeteve të regjistruara për herë të parë i përkasin standardit mjedisor Euro 5 ose më të lartë, ndërsa është rritur edhe numri i automjeteve hibride plug-in, të cilat përbënin 77% të autoveturave të reja të regjistruara gjatë pesëmujorit të parë të vitit.

Sipas DPSHTRR-së, këto zhvillime tregojnë një orientim në rritje të qytetarëve drejt automjeteve më efikase dhe me ndikim më të ulët në mjedis, duke mbështetur përpjekjet për reduktimin e ndotjes nga transporti rrugor në vend.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com