Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se projekti i zgjerimit të rrjetit të ngrohjes qendrore në Prishtinë, i financuar me 80 milionë euro nga Qeveria e Kosovës, ka stagnuar për shkak të mungesës së angazhimit serioz nga ana e Komunës së Prishtinës dhe Termokosit.
Projekti, i paraparë të shtrihet në lagjet Tophane, Kalabri, Lakrishte, Muhaxherë dhe Prishtina e Vjetër, synon të zgjasë rrjetin e ngrohjes për rreth 38 mijë banorë. Murati theksoi se, megjithëse Qeveria kishte siguruar financimin para dy vjetësh, punimet nuk kanë përparuar si duhet. Ai gjithashtu shtoi se kjo nuk është bllokadë nga ana e qeverisë, siç mund të propagandohet, por një çështje e mosveprimit nga institucionet lokale.
Ndryshe, projekti në fjalë përfshin ndërtimin e një centrale diellore dhe zgjerimin e kapacitetit të ngrohjes deri në 50 MW, duke përdorur energji diellore për ngrohje qendrore. Financimi ndërkombëtar për këtë iniciativë vjen nga Banka Zhvillimore Gjermane (KfW), Bashkimi Evropian dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD).
Murati kishte bërë thirrje që Komuna e Prishtinës dhe Termokosi të angazhohen menjëherë për të realizuar këtë projekt, i cili konsiderohet një mundësi e rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës energjetike të qytetit dhe për kontribuimin në objektivat e Kosovës për energji të qëndrueshme dhe të rinovueshme.



