Home / Lajme / Tjera / Zvicra shqetësohet për kërkesën në rritje për energji nga qendrat e të dhënave dhe inteligjenca artificiale

Zvicra shqetësohet për kërkesën në rritje për energji nga qendrat e të dhënave dhe inteligjenca artificiale

Sondazhi tregon një thirrje të fortë publike për energji të rinovueshme dhe transparencë më të madhe nga operatorët.

Sipas një ankete nga OJQ-ja Algorithmwatch Switzerland, qytetarët zviceranë po bëhen gjithnjë e më të shqetësuar për rritjen e konsumit të energjisë elektrike të lidhur me qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale (IA), transmeton Anadolu.

Zvicra me më shumë se 120 ferma serverash tashmë në funksion, renditet ndër vendet evropiane me dendësinë më të lartë të qendrave të të dhënave për frymë, raportoi Swissinfo.

Këto objekte aktualisht përdorin rreth 7 për qind të energjisë totale elektrike të vendit, një pjesë që ekspertët thonë se mund të arrijë 15 për qind deri në vitin 2030, pasi më shumë se 15 qendra të reja janë ndërtuar për të mbështetur teknologjitë e IA-së.

Pothuajse tre të katërtat e të anketuarve thanë se qendrat e reja të të dhënave duhet të ndërtohen vetëm nëse përdorin energji të rinovueshme.

Mbështetja, megjithatë, varet nga mënyra se si përdoren të dhënat: afër 90 për qind miratojnë zgjerimin e kapacitetit për aplikimet e kujdesit shëndetësor, ndërsa vetëm një në tre e mbështesin atë për chatbot-et e IA-së.

Shqetësimet shtrihen përtej përdorimit të energjisë. Shtatë në 10 të anketuar kanë frikë se vëllimet e mëdha të ujit të nevojshme për të ftohur serverat mund të dëmtojnë mjedisin, sipas raportit.

Angela Muller, drejtoreshë ekzekutive e Algorithmwatch Switzerland, tha se mesazhi nga publiku është i qartë: “Njerëzit duan të dinë se sa energji dhe ujë konsumohet pas mureve të trasha gri të qendrave të të dhënave dhe firmave të inteligjencës artificiale”.

Tetë nga 10 të anketuar mbështesin gjithashtu publikimin e një informacioni të tillë, duke u bërë thirrje operatorëve të publikojnë raportet e ndikimit në mjedis.

/aa.com.tr