Kosova, megjithë sasinë kolosale të qymyrit, që e ka edhe në sipërfaqe të tokës, është dakorduar me masat paralajmëruese antikarbon të BE-së, sado që mbi 90 për qind të kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike i ka në bazë të qymyrit (të gjitha termocentralet e KEK-ut). A do të fillojë të aplikohet taksa e karbonit nga janari i 2026-tës?
Këto ditë, ish-kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, në një paraqitje publike në një nga televizionet e vendit, ka paralajmëruar se qytetarët e Kosovës do të përballen sërish me rritje të tarifave të energjisë elektrike në janar të vitit 2026, si pasojë e fuqizimit të tarifës së dioksidkarbonit (lexo: taksës së karbonit). Kjo taksë, sipas tij, pritet të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar që do të paguajnë konsumatorët.
Paralajmërimi, pavarësisht se a qëndron apo jo, dhe pavarësisht a ka ndonjë informacion të besueshëm se vërtet kjo taksë do të aplikohet që nga janari i 2026-tës, ka zgjuar interesim dhe drojë te qytetarët shumicë të Kosovës, të goditur ndjeshëm nga shtrenjtimi i energjisë elektrike për mbi 16 për qind në prill të këtij viti, por edhe te një numër i theksueshëm ndërmarrjesh e kompanish kosovare, që iu kanë nënshtruar liberalizimit të tregut të hapur energjetik.
Pikërisht për këtë shkak, Buletini Ekonomik do të ritrajtojë edhe një herë taksën e karbonit, do të detajizojë kuptimin e kësaj takseje dhe do të shqyrtojë qëllimin pse BE-ja ka vendosur ta aplikojë këtë taksë.
Pikë së pari, duhet shpjeguar se ka vite, por sidomos në tre-katër vitet e fundit, flitet me të madhe për taksën e karbonit, që në fakt, siç vlerësohet në mjediset dhe qarqet zhvillimore energjetike, është një instrument kryesor për të ndikuar në frenimin dhe reduktimin, por edhe eliminimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile për prodhimin e energjisë në përgjithësi dhe të energjisë elektrike në veçanti.
Mekanizmi i korrigjimit të kufijve të karbonit, i miratuar në vitin 2022 nga Bashkimi Evropian, në një farë mënyre ka testuar tashmë të gjithë prodhuesit e energjisë elektrike në bazë të qymyrit veçmas (natyrisht edhe prodhuesit e të gjitha llojeve të energjisë në bazë të lëndëve djegëse të tjera fosile – naftës dhe benzinës) dhe ka vënë në sprovë shumë shtete të botës.
Ka ndikuar, gjithsesi, tepër shumë në vizionet zhvillimore elektroenergjetike të Kosovës me mungesa evidente të rrymës dhe me rezerva të mëdha të linjitit (12-13 miliardë tonë të verifikuara janë rezervat e qymyrit në Kosovë, që e rendit vendin tonë të vogël të pestin në botë për nga rezervat e qymyrit).
Thjesht, Kosova, megjithë këtë sasi kolosale të qymyrit, që e ka edhe në sipërfaqe të tokës, është dakorduar me masat paralajmëruese antikarbon të BE-së, prandaj duhet pranuar se praktikisht tashmë e ka shpallur këtë lëndë djegëse “inekzistente”, sado që është caktuar se masa e taksës së karbonit do të fillojë të “vilet” nga viti 2026 dhe do të përfshijë importet e energjisë me intensitet karboni, që do të thotë edhe prodhuesit e energjisë që emetojnë karbon, respektivisht prodhuesit e rrymës në bazë të qymyrit.
Në Kosovë, duke respektuar rekomandimet e BE-së, por edhe kërcënimet paralajmëruese se përdorimi i qymyrit “mund të sjellë edhe një taksë tepër të madhe për energjinë elektrike të Kosovës”, tashmë në të gjitha vizionet zhvillimore energjetike, edhe në Strategjinë Energjetike 2022-2031, është ngulmuar në ngritjen e kapaciteteve të reja të energjisë së rinovueshme, duke e abstrahuar fare ose duke anashkaluar maksimalisht qymyrin.
Sipas vlerësimeve të asociacioneve energjetike të Europës, por edhe mekanizmave të BE-së që trajtojnë zhvillime energjetike, vendet e Ballkanit Perëndimor, ndër to edhe Kosova, tani përballen me tre opsione rreth minimizimit të përdorimit të qymyrit për të prodhuar energji. Si fillim, ata nuk mund të bëjnë asgjë dhe të përballen me taksat e karbonit (të ashtuquajtura CBAM) nga viti 2026. Së dyti, të prezantojnë çmimin e karbonit për ta përputhur me politikën klimatike të BE-së dhe së treti, ta shmangin atë ose të përfitojnë nga një përjashtim në legjislacion – për t’i dhënë hapësirë frymëmarrjeje deri në vitin 2030.
“Asnjë prej tyre nuk është zgjedhje shumë e lehtë dhe të gjitha kërkojnë shumë më tepër veprim dhe më shumë vëmendje ndaj kësaj teme”, vlerësojnë ekspertët e BE-së.
Sepse, mosfutja e një tregu karboni, që i bie mosdëgjueshmëria ndaj rekomandimeve të BE-së, do të nënkuptojë se të ardhurat e realizuara nga qeveria dhe të parapara për t’i riinvestuar në energjinë e rinovueshme, të prodhuar në vend, do të shkojnë në BE në vend të kësaj si ndëshkim dhe sanksione për shkelje të dakordimeve dhe marrëveshjeve të miratuara.
Në qarqet energjetike të BE-së mendohet se çmimi i karbonit mund të ndihmojë gjithashtu në krijimin e financimit për tranzicionin. Sipas CEE “Bankwatch”, nëse vendet e Ballkanit Perëndimor do të vendosnin çmimin e karbonit me 50 euro për ton – dukshëm më pak se çmimi aktual – ato do të mblidhnin rreth 2.8 miliardë euro në vit.
Ndërkohë, zgjidhja e boshllëkut të bashkimit të sistemit të energjisë elektrike me atë të BE-së për të shmangur taksat e karbonit (CBAM) kërkon që një vend të regjistrohet për të respektuar ligjin mjedisor dhe të konkurrencës të BE-së në sektorin e energjisë elektrike dhe të krijojë një skemë të tregtimit të emetimeve deri në vitin 2030. Ky përjashtim ekziston pasi nuk ka asnjë zgjidhje teknike për të gjurmuar se nga vjen energjia elektrike.
Taksa e karbonit, duhet thënë, se pos Kosovës (rreth 90 për qind të prodhimit të energjisë elektrike, sot e kësaj dite e ka nga qymyri), ndikim të madh në zhvillimet energjetike ka edhe në shtetet e tjera të Ballkanit, të cilat, po kështu, janë zotuar se do të mbyllin shpejt termocentralet në bazë të qymyrit. Maqedonia e Veriut është zotuar të mbyllë termocentralet e tij të qymyrit deri në vitin 2027, që do të thotë se do të ndikohet vetëm për një kohë të shkurtër nga CBAM nëse ndërprerja është e suksesshme.
Edhe Mali i Zi, i cili rreth 40 për qind të prodhimit të energjisë elektrike e prodhon nga termocentrali me qymyr në Pljevlja, do të ketë vështirësi reale nga taksa e karbonit, sikundër edhe Bosnja dhe Hercegovina, e cila ka shumë prodhim të rrymës nga qymyri (rreth 70 për qind) dhe që rreth 20% të prodhimit të saj total të energjisë elektrike e eksporton në BE, bazuar në shifrat 2011-2020.
Edhe prodhimi i energjisë elektrike në Serbi varet shumë nga qymyri.
Ndërsa, në Kosovë, siç dihet, mbi 90 për qind e gjithë prodhimit të rrymës është nga linjiti. Prandaj Kosova do të ketë shumë vështirësi dhe, kushtimisht, duhet të bëjë shumë sakrifica për të braktisur qymyrin dhe për ta realizuar sa më efektshëm rrugën e tranzicionit të gjelbër, që jo pak qendra vendimmarrëse në Europë e ndërlidhin dhe e vlerësojnë si rrugën drejt BE-së.
Në INDEP, duke shpjeguar më herët më detajisht domethënien e taksës së karbonit, thonë se kjo taksë llogaritet në bazë të sasisë së emetimeve të CO₂ gjatë djegies së burimeve fosile, masë kjo që bazohet në të ashtuquajturën përmbajtje karboni të lëndëve djegëse fosile. “Përmes parimit ‘ndotësi paguan’, taksa e karbonit targeton emetuesit më të mëdhenj të CO₂, duke bërë ekonomikisht më pak të favorshme përdorimin e burimeve fosile krahas burimeve të ripërtëritshme”, thuhet në publikimin e INDEP, me titull “Taksa e karbonit drejt të ardhmes së gjelbër”.
Në bazë të vlerësimeve nga INDEP, taksimi ndaj karbonit ka për qëllim të bëjë më të dukshme kostot sociale “të fshehura” të emetimeve të karbonit, të cilat ndihen në mënyrë direkte apo indirekte, siç janë problemet shëndetësore dhe ndryshimet klimatike.
Dhe krejt në fund, nga zhvillimet energjetike në Kosovë po del se nga droja e taksës së karbonit, Kosova tashmë ka heshtur dhe ka “arkivuar” shumë projekte e vizione elektroenergjetike. Ndër to edhe rindërtimin e Kosovës A, të tre blloqeve të saj (A3, A4 dhe A5), sa parashikohej fillimisht edhe me nisjen e qeverisjes së Qeverisë Kurti dhe tani më nuk bëhet fjalë për tre blloqe, por vetëm për një bllok, për rindërtimin e të cilit thuajse nuk është bërë asgjë.
Këto, pak a shumë, janë të mirat, por edhe të këqijat e taksës frikësuese të karbonit, që po reflekton sidomos te shtetet e pasura me qymyr dhe të varfra me energji elektrike, siç është Kosova.
Dhe, nëse analizohet më thellë, më seriozisht, në vendet që kanë qymyrin burimin kryesor për prodhimin e energjisë elektrike, siç është Kosova, dhe plus janë shumë të varfra nga aspekti financiar, atëherë shihet sa pikëpamje zhgënjyese dhe dekurajuese është kjo taksë e paralajmëruar.
Në Kosovë, nuk është se nuk është ditur për kërcënimet që i vijnë vendit tonë nga taksa e karbonit. Buletini Ekonomik ka trajtuar disa herë këtë temë, edhe nëpërmjet analizave më të gjata dhe përmes pikëpamjeve të ekspertëve, ka trajtuar çështjen e paralajmërimit për vënien e taksës së karbonit nga BE-ja për të gjithë përdoruesit e qymyrit si burim elektroenergjetik, qoftë edhe në periudhën e tranzicionit të kalimit në energjinë e ripërtëritshme deri më 2050-n.
Megjithatë, pas krizës së egër elektroenergjetike në botë dhe në Europë sidomos, kërkesat ultimative të BE-së për taksën e karbonit sikur janë zbehur paksa. BE-ja, gjatë krizës elektroenergjetike dhe pas saj, ka “mbyllur” sytë dhe veshët për përdorimin e qymyrit si burim për prodhimin e energjisë elektrike për shumë vende të Europës, edhe sosh financiarisht të fuqishme, me mundësi për të gjetur zgjidhje të tjera.
Ndoshta, po të ishte Kosova më kërkuese dhe të vazhdonte të kërkonte me arsyetime reale shtyrjen e afatit të përdorimit të qymyrit, që e kemi të bollshëm dhe me rezerva impozante, por edhe për disa vite burimin thuajse të vetëm të prodhimit të rrymës, do të mirëkuptohej nga kompetentët energjetikë të BE-së.
Natyrisht, duhet bindur BE-në me vepra dhe projekte se këtë resurs, që na e ka dhuruar aq begatshëm natyra dhe që nuk e kemi përdorur aq sa duhet mirë e kujdesshëm, sidomos në aspektin e ruajtjes së ambientit deri tash, tani e tutje do të ndryshojmë.
Ndryshimi nënkupton mbrojtjen maksimale të ambientit duke respektuar pikë për pikë kërkesat dhe standardet e BE-së, qoftë edhe duke e pasur parasysh koston e lartë të teknologjisë së fundit, që aplikohet te përdoruesit e qymyrit si burim energjetik.
/Buletini Ekonomik



