Sot përfundon afati i aplikimit për konkursin kombëtar të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), një nismë që synon të fuqizojë kreativitetin e nxënësve dhe të rrisë ndërgjegjësimin për efiçiencën e energjisë dhe përdorimin e burimeve të ripërtëritshme. Konkursi është i hapur për nxënësit e klasave VI–IX nga shkollat publike dhe private në gjithë vendin, të cilët këtë vit garojnë me temën “Ide të ndritshme për një të ardhme të gjelbër”.
Në një kohë kur ndryshimet klimatike dhe përdorimi joefikas i energjisë po bëhen sfida gjithnjë e më urgjente, FKEE thekson rëndësinë e edukimit të hershëm dhe përfshirjes së brezave të rinj. Përmes këtij konkursi, nxënësve u ofrohet hapësirë të shprehin mendimin kritik dhe të paraqesin ide kreative që mund të kontribuojnë në një mjedis më të pastër dhe një të ardhme më të qëndrueshme.
Konkursi përfshin tre kategori: ese me temën “Një e nesërme më e gjelbër – Vizioni im për Efiçiencën e Energjisë dhe Energjinë e Ripërtëritshme”, vepra artistike me titull “Energjia për të ardhmen – Një shprehje krijuese”, si dhe instalacione kreative nën konceptin “Shpikja ime e qëndrueshme”. Punimet dorëzohen përmes emailit për esejtë, ndërsa veprat dhe instalacionet në formë fizike, deri në fund të ditës së sotme.
Me këtë nismë, FKEE synon jo vetëm promovimin e kreativitetit, por edhe zhvillimin e një kulture të re energjetike te gjeneratat e reja, të cilat do të jenë bartësit e ndryshimeve të qëndrueshme në të ardhmen. Juryja do të vlerësojë punimet bazuar në kreativitet, qartësi të mesazhit dhe lidhjen me temën, ndërsa fituesit pritet të shpallen në një ceremoni të veçantë.



